BLOG, 1 Dhjetor 2021, 08:49

Përgjimet në Ishullin e Zvërnecit/ “Gjovalin Luka thotë se Partia e Punës së Shqipërisë kërkon sot Kosovën që ta djeg dhe të vuajë edhe populli i saj, si ai i Shkodrës…”

Përgjimet në Ishullin e Zvërnecit/ “Gjovalin Luka

Nga Dashnor Kaloçi/

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacioni i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Dhënë nga B.p.“VIGJILENTI”

Vlorë më 24/XI/1958

R A P O R T

(Prej datës 14/XI/1958 deri më 24/XI/1958)

Gjatë kësaj kohe janë biseduar këto çështje nga personat e poshtë-shënuar:

Peço Fidhi, kur erdhi Amali Dishnica në ishull, Peçua i tha Amalisë, që mos ki gajle, rri pa merak: d.m.th. se Peçua nuk ka thënë asgjë për Pëllumb Dishnicën kur qe thirrur në Vlorë. Amalia e pyeti Peçon, nëse e kanë thirrur përsëri, kurse Peçua i’u përgjigj se, jo, pastaj filluan të flasin greqisht dhe ai nuk morri vesh.

Peço Fidhi, kur po lexonte tezat e shokut Hrushov, tha se edhe Bulganini paska qenë në grupin anti-parti të Malenkovit dhe ka shkuar mirë me punë. Më vonë, Peçua i tha Rasim Tahirit, se: ikën të gjithë të vjetrit dhe kanë mbetur vetëm shokët Mikojan dhe Voroshillov. Mikojani: – vazhdoi Peçua – nuk i aprovon me gjithë shpirt këtë vijë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, por nuk e shfaq këtë.

Xhaferr Vokshi, duke komentuar “Zërin e Popullit”, ku fliste Gomulka, Xhaferri tha se: përsëri Gomulka i bën thirrje Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë dhe se fjalimi i Gomulkës është i butë dhe jo si qëndrimi i Partisë së Punës së Shqipërisë që i goditi shumë rëndë jugosllavët, këtë thotë Xhaferi, nuk e quaj të drejtë. Tue u mbështet në fjalën e Gomulkës, Xhaferr Vokshi shpreson se marrëdhëniet me Jugosllavinë mund të rregullohen dhe thotë se: kësaj nuk i dihet, politikë është kjo?! Edhe në vitin 1948 u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe pastaj filluan të rregullohen, kështu mund të ndodhë edhe tani. Peço Fidhi ja kundërshtoi këtë mendim, Xhaferri i tha se: nuk mund të rregullohen përsëri, kurse Rasim Tahiri rrinte e dëgjonte.

Nga Peço Fidhi dhe Pëllumb Dishnica, flitet shumë keq për Komitetin për Marrëdhëniet me Botën e Jashtme dhe për Shoqërinë e Miqësisë me Bashkimin Sovjetik, thonë se këto dy vende nuk kanë punë fare, njerëzit që punojnë këtu bëjnë qejf, duke shtruar darka, pritje e përcjellje. Në këtë rast, Gjovalin Luka i kundërshtoi, duke ju thënë se: ju e përçmoni rëndësinë e punës së këtyre dy organeve, porse Peçua e Pëllumbi, nuk qenë dakord me mendimin e Gjovalinit.

Vlorë, 24/XI/1958 “VIGJILENTI”

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga P.O. Maliq Mersini

Dhënë nga B.P. “Vigjilenti”

Vlorë, më 30/XI/1958

R A P O R T

(Prej datës 23/XI/1958 deri më 30/XI/1958)

Gjatë kësaj kohe janë biseduar këto çështje nga personat e poshtëshënuar:

Gjovalin Luka dhe Xhafer Vokshi, kanë thënë se trajtimi i njerëzve të Jugut bëhet më i mirë nga ai i atyre të Veriut. Shokët e Jugut nuk e lënë njëri tjetrin të bjerë, por e mbrojnë. Këtë politikë e bën Partia sot. Duke komentuar gazetën që fliste për revizionizmin jugosllav, mbi popullin e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, Gjovalini i tha Xhaferit në prezencë të Rasim Tahirit, se: Partija e Punës Shqipërisë kërkon sot Kosovën që ta djeg dhe të vuaj edhe populli i saj si populli i Veriut, d.m.th., populli i Shkodrës e i malësive të saj, mbasi kanë mjaft të papunë dhe t’i çojnë në Kosovë, siç çojë në Shkodër njerëz nga Jugu dhe ta përdorin keq. Për këtë qëllime do Partia jonë Kosovën dhe popullin e saj kosovar. Këto fjalë të Gjovalint i aprovoi edhe Xhaferi.

Gjovalini thotë se edhe këtu në ishull e trajtojnë keq, kur vjen e shoqja ja kontrollojnë, fëmijët nuk mi lenë me ardhë, thotë Gjovalini, dhe për këto sjellje shfaq urrejtje, tue thënë se nuk janë aspak njerëzor.

Peço Fidhi, duke bërë fjalë në lidhje me dekoratën dhe bustin e ministrit të Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, Malinovski, u shpreh kështu: Po sikur Malinovski të bëj ndonjë gabim në politikë, a do të jetë përsëri busti i tij? Këtë fjalë Peço e tha në prezencë të të gjithëve, por nuk morri asnjë përgjigje nga të tjerët.

Peço Fidhi, duke folur me Rasim Tahirin, i tha përsëri se ka inat me disa persona që janë kundra Partisë dhe nga ana tjetër mbajnë qëndrim sikur janë me Partinë. Si shembull, përmendi Gafurr Çuçin, i cili i paska thënë Peços: “Mbaje kokën lart, mos u mërzit”. Këtë, thotë Peçua, Gafurri më ka thënë kur unë isha i dënuar, ndërsa tani, Gafurri ka folur në Vlorë në takimin e rinisë për marksizmin dhe Komitetin Qendror Leninist. Peçua thotë: Nuk durohen këto, këta flasin, jo se duan Partinë, por se i fshihen Partisë.

Peçua i tregoi Rasim Tahirit, se në Konferencën e Tiranës, i ka thënë Zihni Muços, që të diskutonte, por Zihniu i është përgjigjur, duke i thënë: diskutoni ju që nuk jeni të goditur nga Partia, se po të diskutojmë ne të goditurit, s’ka shumë efekt. Peçua thotë se: si Gafurr Çuçi, ashtu dhe Zihni Muço, janë nënministra. Peço Fidhi i ka thënë Rasimit, se: për këta njerëz, jam gati t’ja them Partisë, por nuk kam ç’ti bëj Pëllumb Dishnicës, pasi me të kam biseduar shumë gjera dhe më tepër i kam folur unë, sesa Pëllumbi, prandaj këtu Peçua ka frikë se edhe Pëllumbi do ta denonconte.

Gjithashtu Peçua flet keq edhe për Qazim Vaqarrin, që nuk i ka folur me gojë Peços, kur ka ardhur në Fier me punë. Për Qazimin, Peçua thotë se: ka qenë gjithmonë në opozicion me Partinë dhe sot përsëri Qazimi është mirë, pasi Partia nuk i din të gjitha shfaqjet antiparti të Qazimit.

Peço Fidhi, flet shumë keq për Konferencën e Tiranës dhe thotë se: ata që diskutuan ishin komunistë aventurier, kurse ata që u ngritën në Poloni dhe në Hungari, ishin komunistë guximtarë.

Peço, thotë gjithashtu se Xhaferr Vokshi, kur ishte në Ballsh, i ka dërguar një letër Peços në Fier, nëpërmjet një kosovari, me të cilën Xhaferri ka pyetur për Hulusi Spahiun, se ku gjendet, por Peço nuk i ka kthyer përgjigje.

“Vigjëlenti”

Vlorë, më 30/XI/1958

I N F O R M A C I O N

Prej datës 1, deri më 6 dhjetor 1958.

Gjatë kësaj kohe janë biseduar këto çështje nga personat e poshtëshënuar:

Peço Fidhi, i ka thënë Rasimit se: njerëzit janë sjellë keq karshi Peços dhe që ka bërë që të vazhdojë rrugën antiparti dhe të bëhet armik i partisë, janë shokët Pirro Gusho dhe major Qemal Hysenaj, për të cilët Peçua shfaq urrejtjen më të madhe ndaj tyre. Peçua thotë se në Fier nuk kanë lënë vend pa e demaskuar si antiparti, revizionist, e kanë pushuar nga puna, prandaj dhe Peçua ka fol dhe ka mbajtur qëndrim armiqësor. Por këto fjalë që i ka thënë Rasimit, tha se do t’ja thotë dhe nënkolonel Mit’hat Muços, në rast se do ta thërrasin në Vlorë.

Peçua i ka thënë Rasimit, se: Xhaferr Vokshi ka qenë i pakënaqur që kur ka ikur nga Jugosllavia dhe ka ardhur në Shqipëri, nuk i kanë dhënë vendin e merituar menjëherë, pastaj thotë se Xhaferri ka pritur që ta thërras shoku Enver dhe të bisedoj me të, e ta pyes për Bije Vokshin, tezen e Xhaferrit, Peçua thotë që: Xhaferri kishte këto pakënaqësi dhe nga masat e marra karshi Tuk Jakovës dhe Frano Jakovës, mbasi me këtë të dytin, janë baxhanakë.

Peço Fidhi, kur u thirr në Vlorë më datën 6 dhjetor i tha Gjovalin Lukës: U bubu paskam ballafaqim dhe u tremb shumë. Thotë për Pëllumb Dishnicën, se: nuk ka fol gjë në Tiranë, vetëm ato që ka fol me Peçon në Fier, por nuk thotë se Pecua se çkanë menduar me Pëllumbin.

Peçua, duke biseduar me Rasimin, thotë se ka frikë nga ballafaqimi, sidomos me Pëllumbin dhe nga ana tjetër thotë se mos bëhet ndonjë gjyq politik, prandaj dhe nguron ta denoncoj Pëllumbin, nga ana tjetër ka dhe frikën e vet, se duke denoncuar Pëllumbin, denoncon vetveten.

Gjovalin Luka, diskuton dhe thotë se të gjithë shkrimtarët që janë sot në Shqipëri, nuk kanë bërë asnjë roman të vlefshëm dhe nuk vlejnë me përjashtim të Shefqet Musarajt dhe të Petro Markos, i cili ka bërë romanin “Hasta la vista”. Këtë mendim të Gjovalinit nuk e ka përkrahur Peço Fidhi, kurse të tjerët po.

Gjovalini, Nuriu e Xhaviti, thonë se shtëpitë që janë ndërtuar në Tiranë, janë apartamente të mëdhaja si në Lanë e Bulevard, nuk vlejnë fare. Xhaferr Vokshi i ka thënë Rasimit, se për kohën që ka qëndruar në Ballsh, Nuriu ka shkuar tek Xhaferri në shtëpi çdo ditë dhe natë, e ka ngrenë dreka e darka në shtëpinë e Xhaferrit. Ata kanë dëgjuar radion nga ora 9 deri në 10 të natës dhe kanë biseduar me njëri tjetrin, por Xhaferri nuk tregon.

Xhavit Qesja, nuk flet, por dëgjon. Qëndrimi i tij për familjen është bërë për mendimin tim, se don të ruaj të shoqen mos të marrë masa Partia dhe nga ana tjetër, don që duke mos pasur lidhje me të shoqen, të mos e pyesë Partia të shoqen se çka din për Xhavitin. Në këtë drejtim, unë mendoj që e shoqja duhet të dijë për Xhavitin, prandaj duhet ta shikoni.

Radion mos ja dërgoni Xhavitit, në rast se unë do të shoh të përshtatshme dorëzimin e radios, do t’ju njoftoj.

6 dhjetor 1958 “Vigjëlenti”

Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga Maliq Mersini

Dhënë nga “B.p. “Vigjëlenti”

Vlorë, 12.12.1958

I N F O R M A C I O N

Gjatë këtyre ditëve nuk është biseduar ndonjë çështje politike, por vetëm mbi thirrjen e Pëllumb Dishnicës në Vlorë dhe të Peço Fidhit në Vlorë. Për marrjen e Pëllumbit, Peço i tha Rasimit se Pëllumbi nuk ka shumë punë, pasi nuk ka folur shumë gjëra dhe e përfundoi bisedën duke folur për veten e vet Peçua, që e ka më të rëndë se Pëllumbi, por megjithatë, as për Pëllumbin nuk kanë fakte për të na futur në burg. Por Peço, atë ditë që kanë marrë Pëllumbin, ka mbetur i tronditur se mendonte se do ta thërrasin dhe Peçon.

Kur u thirr Peçua dhe Xhaferri, të gjithë të tjerët kanë mbetur të trembur, por ndonjë parullë nuk u fol, me përjashtim të atyre që tha Peçua kur u përgatit për të shkuar në Vlorë.

Gjovalin Luka, vetëm thotë duam të përgatisim ndonjë gjyq politik dhe Peçua ka filluar të nxjerrë njerëz. Kurse Nuri Huta, gjatë ditëve që ishte Xhaferri në Vlorë, rrinte vetëm dhe është trembur për marrjen e Xhaferrit, por sa erdhi Xhaferri, u gëzua shumë dhe filloi të pyes se çka i kishin thënë Xhaferrit në Vlorë. Por Xhaferri ju përgjigj se: nuk ju duhet gjë për atë që më kanë thënë në Vlorë. Xhaferri që kur ka ardhur nga Vlora, rin i mërzitur dhe duke menduar, tashti nuk ka më shpresë se do të falet.

Kur ka ardhur Pëllumbi nga Vlora tregoi se nuk e kanë pyetur fare, por po të më thërrasin për të tretën herë, do të jetë puna me spec.

Rreth mbajtjes së Peços në Vlorë prej gjashtë ditësh, Pëllumbi ka filluar të tronditet dhe ta kapë përsëri frika, kurse të tjerët, thonë: si nuk erdhi dhe a do të vijë sot, pastaj kur nuk vjen, do të vijë përsëri të nesërmen? Kurse Gjovalini thotë: ai ka filluar me nxjerr dhe do fusi shokët dhe veten brenda.

Më të tronditurit dhe që kanë frikë janë: Xhaferr Vokshi dhe Pëllumb Dishnica, që ka pasur frikë kur morën Xhaferrin, ishte Nuri Huta.

“Vigjëlenti”

Një kopje t’i jepet Jonus Mersinit dhe të tjerat në dosjen e secilit. Memorie.al

Nënkolonel

Raqi Zavalani

/Memorie.al