BLOG, 19 Mars 2022, 09:17

Një epokë e re e konfliktit ekonomik

Një epokë e re e konfliktit ekonomik

Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë. Implikimet janë të mëdha.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë aksioni më i madh ushtarak në Europë që nga viti 1945. Ai shënon gjithashtu një epokë të re të luftës ekonomike me rrezik të lartë, që mund të copëtojë edhe më tej ekonominë botërore.

Masat që ka vendosur Perëndimi ndaj Rusisë, janë aq të fuqishme, sa që kanë shkaktuar kaos në ekonominë e saj prej 1.6 trilionë dollarësh dhe e kanë shtyrë presidentin Vladimir Putin, që të bëjë kërcënime bërthamore.

Goditja e menjëhershme e një ekonomie të madhe është një dukuri krejt e pazakontë dhe do të shkaktojë alarm në mbarë botën, veçanërisht në Kinë, e cila do të llogarisë edhe një herë kostot e një lufte me Tajvanin.

Prioriteti i Perëndimit duhet të jetë fitimi i luftës ekonomike ndaj Rusisë. Pastaj ai duhet të krijojë një doktrinë për të menaxhuar këto armë ekonomike, në mënyrë që të parandalojë një zhvendosje më të madhe drejt autarkisë, shkruan The Economist.

Nuk është për t’u çuditur që Rusia në fillim nuk e mori seriozisht kërcënimin e sanksioneve. Për vite me radhë, ato kanë qenë të shumta, por joefektive.

Duke ngurruar të përdorin fuqinë ushtarake, Amerika dhe Europa kanë tentuar të godasin me ndëshkime ekonomike. Rreth 10,000 njerëz ose firma janë subjekt i sanksioneve amerikane, duke prekur mbi 50 shtete që përbëjnë 27% të PBB-së botërore dhe duke mbuluar gjithçka, nga torturat, deri tek kriptovalutat.

Shpesh ato nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh. Autokratët mund t’u shmangen masave të tilla. Embargot e plota ndaj Iranit dhe Venezuelës i kanë gjymtuar, por nuk i kanë rrëzuar këto regjime. Efekti parandalues ​​ka qenë i dobët, pasi gjithmonë është hamendësuar se Amerika nuk do të ushtronte kurrë “presion maksimal” mbi një ekonomi të madhe.

Më 26 shkurt, këto hamendësime dolën të gabuara kur u vendosën sanksione ndaj ekonomisë së 11-të më të madhe në botë.

Ato e bënë të paligjshme që firmat perëndimore të kryenin shkëmbime me bankat e mëdha ruse, përveç në sektorin e tregtisë së energjisë, dhe duke i përjashtuar ato nga sistemi i pagesave globale. Ky veprim kundër bankës qendrore ruse, do të thotë se ajo nuk mund të ketë akses në pjesën më të madhe të shumës prej 630 miliardë dollarësh në rezerva valutore.

Besimi është zhdukur. Rubla ka rënë me 28% këtë vit pasi kapitali po largohet, duke kërcënuar rritjen e inflacionit. Çmimet e aksioneve ruse kanë rënë me mbi 90% në tregtinë e jashtme dhe kompanitë shumëkombëshe po largohen. Nga Moska në Murmansk, rusët po mbajnë radhë jashtë bankave.

Goditja mund të çojë në një grusht shteti, ose në një krizë parash që pengon makinerinë e luftës. Por zoti Putin mund të hakmerret me armë ekonomike, duke përfshirë ndërprerjen e rrjedhës së gazit.

Pas përdorimit të bombave bërthamore në vitin 1945, u deshën vite për të krijuar një doktrinë mbi mënyrën sesi duhej të trajtohej hakmarrja. Tani, mes kaosit, nuk ka kohë për një ekuivalent për sanksione.

Megjithatë, një parim është i qartë: çdo hakmarrje ekonomike ruse, duhet të përballet me një përgjigje më të dëmshme nga Perëndimi, e cila duhet ta bëjë atë akt hakmarrjeje të paarsyeshëm. Falë aftësisë për të penguar shërbimet teknologjike dhe eksportet e naftës (nga të cilat Rusia fiton katër herë më shumë se nga gazi), Perëndimi gëzon përparësi.

Nëse Perëndimi përballet me Rusinë dhe provon fuqinë parandaluese të armëve të reja, pasojat afatgjata do të jenë të frikshme. Sa më shumë të përdoren, aq më shumë vende do të përpiqen të shmangin mbështetjen në financat perëndimore.

Kjo do ta bënte më pak të fuqishëm kërcënimin e përjashtimit nga sistemi dhe do të çonte gjithashtu në një fragmentim të rrezikshëm të ekonomisë botërore. Në vitet 1930, frika e embargove tregtare u shoqërua me një nxitim drejt autarkisë dhe sferave ekonomike të ndikimit.

Autokracitë do të jenë më nervoze: ato zotërojnë gjysmën e grumbullit të rezervave prej 20 trilionë dollarësh në botë dhe aseteve të pasurisë sovrane.

Megjithëse Kina mund t’i shkaktojë kosto të mëdha ekonomike Perëndimit, duke bllokuar zinxhirët e furnizimit, tani është e qartë se në rast të një lufte me Tajvanin, Perëndimi mund të ngrijë rezervat e Kinës prej 3.3 trilionë dollarësh.

Edhe disa demokraci si India, e cila nuk e ka dënuar Rusinë, mund të shqetësohen se janë më të rrezikuara ndaj presionit perëndimor. Gjatë dekadës së ardhshme, ndryshimet teknologjike mund të krijojnë rrjete të reja pagesash që anashkalojnë sistemin bankar perëndimor.

Prova e monedhës dixhitale në Kinë ka 261 milionë përdorues. Sot është e vështirë të parkosh me triliona dollarë jashtë tregjeve perëndimore, por me kalimin e kohës, më shumë vende mund të kërkojnë të diversifikojnë rezervat e tyre, duke investuar më shumë diku tjetër.

Një pjesë e këtij fragmentimi është bërë i pashmangshëm. Por duke aplikuar sanksione për gjithnjë e më shumë vende gjatë dy dekadave të fundit, dhe duke rritur ashpërsinë e tyre në konfliktin e tanishëm, Perëndimi rrezikon të shtyjë edhe më shumë vende që të shkëputen nga sistemi financiar i udhëhequr nga ai. Kjo është arsyeja pse, pasi të kalojë kriza në Ukrainë,

Perëndimi duhet të bëjë të qartë se si do të kontrollohen sanksionet. Përhapja e pamëshirshme e sanksioneve të nivelit të ulët duhet të frenohet, megjithëse masat e shënjestruara kundër individëve dhe firmave për abuzime të të drejtave të njeriut, mbeten legjitime, edhe nëse ato rrallëherë funksionojnë.

Dhe duhet bërë e qartë se sanksionet ekonomike të llojit shkatërrues që përdoren kundër Rusisë, janë të rezervuara për aktet më të këqija të agresionit dhe luftës. Perëndimi ka vënë në përdorim një armë ekonomike që deri vonë ishte e paimagjinueshme. Ajo duhet të përdoret me mençuri./Perktheu:Monitor/