BLOG, 31 Maj 2026, 11:10

Integrimi në BE, standardet me status

Integrimi në BE, standardet me status

Në kohën kur Rezoluta 1244 e OKB-së shërbente si kornizë ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe sigurisë, administrimin e Kosovës, ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe rindërtimin e Kosovës pas sundimit të institucioneve të atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal i Zi), Shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë prezantoi një qasje të re: “Standardet para statusit”.

Gjatë periudhës kur UNMIK-u drejtohej nga administratori dhe diplomati gjerman Michael Steiner, komuniteti ndërkombëtar artikuloi politikën e njohur si “Standardet para statusit”, sipas së cilës statusi i Kosovës nuk do të trajtohej derisa të përmbusheshin standardet dhe kriteret e qeverisjes së mirë. Për të arritur këto objektiva, institucionet e Kosovës krijuan një sërë grupesh pune që mblidheshin rregullisht për të përshpejtuar progresin në përmbushjen e standardeve. Në vitin 2005, një raport i porositur nga OKB-ja dhe i hartuar nga diplomati norvegjez Kai Eide vlerësoi se përparimi i mëtejshëm në përmbushjen e standardeve nuk do të ishte i mundur pa qartësi mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.

Këto standarde mbulonin tetë fusha kryesore të zhvillimit dhe vendosnin theks të veçantë në mbrojtjen e komuniteteve jo-shqiptare në Kosovë. Ato trajtonin çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, të drejtat e komuniteteve, kthimin e personave të zhvendosur, zhvillimin ekonomik, dialogun me Beogradin, të drejtat pronësore dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Në vitin 2006, ndërsa po zhvilloheshin negociatat për procesin e statusit të Kosovës të udhëhequra nga i Dërguari Special i OKB-së, Martti Ahtisaari, Qeveria e Kosovës filloi të kalonte nga procesi i përmbushjes së standardeve drejt një procesi më kërkues: përmbushjes së standardeve për integrimin evropian, në kuadër të Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim-Asociimit (STM).

Sot, në një kohë kur ekziston një rrezik serioz për konflikte të hapura të nxitura nga Rusia me proksi të instaluar në Rajon, me synimin e qartë për të lehtësuar presionin mbi frontet ushtarake në Ukrainë dhe Gazë, përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë, Bashkimi Evropian do të duhej të konsiderojë seriozisht përshpejtimin e procesit të integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ashtu siç një diplomat gjerman, atëherë ambasador në Romë, në një rast miqësor zbuloi letrën e tij drejtuar eprorit të tij, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, duke propozuar qasjen “Standardet me status”, sot, për shkak të urgjencës dhe kompleksitetit të sfidave të sigurisë, si dhe për shkak të konkurrencës gjeopolitike me të cilën përballet Bashkimi Evropian, integrimi duhet të shoqërohet me një deklaratë të qartë politike nga Brukseli, duke prezantuar konceptin “Integrimi me standarde”.

Në një ditë të dhjetorit Brukseli shpall integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE!
Kjo do të mundësonte një integrim të përshpejtuar të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa standardet e detyrueshme do të vendoseshin dhe monitoroheshin në mënyrë rigoroze. Një sistem i tillë do të përfshinte mentorim dhe mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga shtetet anëtare të BE-së, ku secilit shtet të Ballkanit Perëndimor do t’i caktohej një ose më shumë vende anëtare përgjegjëse për të mbështetur dhe monitoruar zbatimin e reformave të kërkuara.

Ky propozim nuk e minon procesin e integrimit të Shqipërisë gjegjësisht Malit të Zi përmes dialogut me BE, hapjes së kllasterëve dhr kapitujve, por është pledim serioz për evitimin e rrezikut serioz të ndërhyrjeve të rrezikshme gjeopolitike inverze për secilën kryeqendër të BE-së në këtë rajon: Athinë, Zagreb, Sofje, Bukuresht, Lublanë, Vjenë, e tutje.

Kjo është forma e nevojshme-urgjente e veprimit të Brukselit!

*Autori është diplomat në Kosovë