TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Isha në Shkup me mision “historik” bashkëshortor. Të çoja gruan në Panairin e Librit Shqip, i pari në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut dhe ajo kishte një parandjenjë që do të merrte një çmim.
Rovena rikthehet atje pas gati 3 dekadash. Nuk e fsheh ankthin. I rikthehen kujtimet:
Librin e parë për të rritur, “Zemërimi i demit” e botoi aty; Një ditë të bukur ishte futur në një dyqan maqedonas dhe ata e kishin nxjerrë jashtë me britma, ndërsa shqiptarët e kritikuan me tone të larta pse kishte vajtur te sllavët.
Pastaj ishin pjesëmarrjet në aktivitetin “Ditët e Naimit” në Tetovë.
“Ishte e frikshme. Doganierët maqedonas na kontrollonin nëse kishim libra shqip me vete”- kujton ajo pas gati tre dekadash.
Pastaj në nëntor 1999, mbulimi si gazetare e fushatës presidenciale për presidentin e ndjerë Boris Trajkovski që do të pasonte Kiro Gligorovin për kryetar të shtetit dhe që u shua 5 vite më vonë në një aksident ajror, ende të pashpjegueshëm, mbi Mostar të Bosnje Hercegovinës.
Sot jemi sërish për librat.
Komuna e Çairit, njëra prej 3 komunave më shumicë shqiptare në bashkinë e Shkupit, për herë të parë në histori, ka organizuar në sheshin “Skënderbeu” panairin e parë të librit shqip. Në tendat e panairit 4 ditor janë renditur librat e 55 shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova dhe mikpritësit.
Irena Toçi, drejtuese e Institutit të Librit dhe Promocionit dhe bashkëshorti Fatmir Toçi, drejtues i shtëpisë botuese “Toena” janë bërë protagonistë që kësaj ngjarjeje të veçantë që synon të bëhet e përvitshme, me mbështetjen e Komunës së Çairit.
Irena nuk e fsheh lodhjen, por edhe zhgënjimin për apatinë e qeverisë së Tiranës. Kujton pjeëmarrjen në Panairin e librit në Milano.
“1600 aktivitete bëheshin atje. 1600. Vetëm një student mund të blinte deri në 23 tituj. Gjithçka e mbuluar nga organizatorët”.-thotë zonja Toçi.
Në tendën qendrore promovohet “Gjëra që ngjasin”, romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Një histori që vjen nga realiteti, por e mbushur me humor e thumba të hollë si vetë biseda e shkrimtarit. Sapo ka fituar një çmim të rëndësishëm në Itali me romanin “Valsi i lumturisë”, por flet pak dhe me modesti.
Libri i tij “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, në vitin 2006, një vit përpara se të linte detyrën si përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, tronditi burokracinë e Brukselit në kryeqytetin e Shqipërisë dhe të Evropës së Bashkuar. Libri u botua nga Franca, Arabia Saudite dhe Kinë, duke demaskuar aspekte jetësore të diplomatëve të huaj nëpër zyrat e organizmave ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri pas ngjarjeve të viteve ’90, qëllimi i të cilave është të ndihmojnë vendin pas dekadash vështirësish nën regjimin autoritar.
Aliçkaj i kujton ende pasojat që pati 20 vite më parë për atë vepër që tronditi zyrat e KE-së në Tiranë dhe ai kujton se diplomatët e kërcënuan me gjyq dhe largim nga puna, por një ekip nga Brukseli i frenoi, ndërsa qeveria e asaj kohe më pas e gradoi ambasador në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO.
Në mbrëmje, ndërsa vapa ka rënë disi, bëhet ndarja solemne e çmimeve të “Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”.
Çmimi për “Prozën më të Mirë” Namik Dokles; çmimi për “Poezinë më të Mirë” Resul Shabanit; çmimi për “Përkthimin më të Mirë” Ana Koves; çmimi për “Studimin më të Mirë” Kujtim Shalës; çmimi për “Librin më të Mirë për Fëmijë” Rovena Rrozhanit pë librin "Sekreti i fshehur në libra"; Çmimi i Karrierës për Abdullah Zenelin dhe Çmimi Special pas vdekjes për Lindita Ahmetin.
Libra dhe politikë
Ditën e ndarjes së çmimeve, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mungon. Ka shkuar në Kosovë për të qenë pranë Albin Kurtit një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës që do ta nxirrnin, sërish fitues, por më të vogël se më parë.
Mexhiti u zgjodh kryetar i Çairit në zgjedhjet e 19 tetorit 2025, ku fitues doli VRMO-DPMNE e Hristjan Mickovskit dhe koalicioni VLEN i shqiptarëve që mbështetej nga LVV e Kosovës, ndërsa e drejtoi komunën më të vogël dhe më të varfër të Shkupit në vitet 2005-2013.
Historia ishte shumë e thjeshtë: Mexhiti ishte zv.kryeministër dhe ministër i Ekologjisë, kur mori vesh se ministri i Jashtëm Bujar Osmani do të kandidohej për kryetar i komunës së Çairit. Vendosi të kandidojë dhe fitoi, ndërsa pas fitores kërkoi edhe dorëheqjen e Ali Ahmetit.
“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët dhe u pensionua një klasë politike shqiptare.... Sonte po i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit me plot respekt dhe qartësi, ky është çasti ku duhet të dorëhiqesh. Vota e shqiptarëve të dërgoi në pension politik.
Një kunj politik edhe për Edi Ramën që erdhi dhe parakaloi bashkë me Ali Ahmetin rrugëve të Çairit.
Tensioni dhe ndarjet politike janë të dukshme. Denion Meidani, ambasador i Shqipërinë në Maqedoninë e Veriut, mungoi në ngjarjen më të madhe për shqiptarët e RMV. Meidani ishte mbështetës i flaktë e protestës së studentëve të Juridikut për të dhënë provimet në gjuhën shqipe. Por partizanët e VLEN-it thonë se ato ishin të frymëzuara nga BDI e Ali Ahmetit.
“BDI ishte në pushtet 25 vite, pati 5 ministra drejtësie dhe nuk e zgjidhën punën e gjuhës shqipe për studentët dhe tani bëjnë gjithë këtë rrëmujë për 10 studentë”- thotë një shitës floriri në Çarshinë e vjetër që nuk e fsheh simpatinë për VLEN dhe Albin Kurtin.
“Ai do të arrijë të bëjë bashkimin tonë kombëtar”-thotë argjendari plot pathos.
Klima politike ndikoi edhe te panairi i librit. Mexhiti u tha vartësve që ta ftonin ambasadorin Meidani në sheshin “Skënderbeu”, por duket se ai nuk u lajmërua dhe vartësit u justifikuan se nuk e ftuan ngaqë kryetari i komunës dha vetëm një urdhër gojor.
Çairi shtrihet rrëmujshëm në anën veriore të Vardarit, përballë qendrës së Shkupit, një rrëmujë urbanistike që shqiptarët e përqafojnë me zell nga Shkupi në Tiranë.
Në anën tjetër të lumit është pjesa maqedonase. E rregullt, e pastër, gjithçka në vendin e vet, përkundër një urbanizmi kaotik në zonën shqiptare. Monumentet e heronjve dhe shenjtorëve maqedonas shtrihen sa gjerë-gjatë, duke e bërë sheshin ‘Skënderbeu” dhe monumentin e heroit kombëtar, të duket liliput.
Megjithatë ka shpresë për ndryshim: kupolat e bardha lart, që sot janë bosh, janë premtuar se do të bëhen bibliotekë monderne dhe panairi i vitit 2027 do të jetë akoma edhe më mirë.
Rovena është e gëzuar dhe dukshëm e qetë. Një çmim tjetër dhe që tani po mendon se ku ta vendosë në raftin e mbushur plot.
Kthimi për në Bllatë është i qetë. Kontrolli i vetëm është, ai në doganën e Shqipërisë: një situatë qesharake ku doganierë dhe policë që rendën të mbushnin duart me qershi nga shoferi i makinës përpara, nxituan të kthehen në kioska. Polici të kërkon dokumentet dhe bën romuze se mos ke qershi me vete, duke të urdhëruar të hapësh bagazhin.
-Po kjo?- pyet bashkëshortja e çuditur.
I jap një shpjegim që më duket i logjikshëm dhe s’ka lidhje me librat.
-Këtej bëhet kontrabandë e madhe me karburante. Nga ne është 2 euro, matanë 1.4 dhe ja vlen të marrësh nja dy bidonë.