BALLKAN, 19 Nëntor 2023, 15:51

​Lumir Abdixhiku rizgjidhet në krye të LDK-së, rivalit nuk iu lejua kandidimi

​Lumir Abdixhiku rizgjidhet në krye të LDK-së, rivalit nuk iu

Lumir Abdixhiku është rizgjedhur sërish në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 333 delegatët e pranishëm votuan në mënyrë unanime që Abdixhiku të drejtoi sërish LDK-në.

Ai ishte kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së, pasi Faton Bislimit nuk iu aprovua kandidatura.

Pak para se Abdixhiku të zgjidhej kryetar, Bislimi lëshoi sallën.

Ish-deputeti Faton Bislimi u injorua nga gjashtë anëtarët e Kryesisë së punës së Kuvendit të dhjetë Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai pasi është njoftuar se nuk ka të drejtë kandidimi për kryetar të partisë pasi nuk është delegat i zgjedhur, kërkoi fjalën nga Kryesia e punës, por këta të fundit nuk e lejuan që të flasë.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri komentoi pretendimin e Faton Bislimit për të qenë kandidat për kryetar të LDK-së.

Ai tha se “ata që nuk kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, nuk janë kandidatë”.

“A keni dëgjuar ndonjë parti të ndodhë të vijë dikush tjetër dhe të thotë po dua të bëhem kryetar i partisë dhe të bëhem delegat. Shko pyeteni këta në LVV a ka bërë vaki, ose në PDK ose në Aleancë… Ke qenë pjesë po nuk ke marrë pjesë në proces zgjedhor, nuk je kandidat”, tha Muhaxheri.

Faton Bislimi deklaroi se kandidatura e tij varet nga vota e delegatëve. Sipas tij, vetëm Ibrahim Rugova është i patejkalueshëm.

Ai para nisjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, u shpreh se është i angazhuar që të paraqesë ofertën e tij për këtë parti.

“Ideja e krejt angazhimit tim është për t’ia dhënë ofertën time LDK-së. As nuk dua të paragjykoj rezultat, as nuk dua të paragjykoj asgjë tjetër. Është në dorën e delegatëve të vendosin, le të jetë kjo ditë tamam festë për LDK-në, sepse një LDK e fortë i duhet Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Bislimi nuk ka dashur të paragjykojë në lidhje me kandidaturën për kreun e LDK-së, duke thënë se kjo varet nga vota e delegatëve.

“Nuk dua të paragjykoj në asnjë moment. Kuvendi nuk ka filluar ende. Çfarëdo që do të deklaroja tani, do të ishte një paragjykim… Është e drejtë e zotëri Abdixhikut dhe secilit tjetër të ofrojë diçka më shumë për LDK-në. Krejt çka unë dua të bëj, është të jap ofertën time për LDK-në. Pjesa tjetër është në duart e delegatëve të LDK-së”, shtoi ai.

Bislimi, i cili synonte kandidaturën e kryetarit, shtoi se vetëm ish-presidenti Ibrahim Rugova është i patejkalueshëm.

“Vetëm një emër i patejkalueshëm në LDK dhe ai është Ibrahim Rugova. Tjetër janë të tejkalueshëm, janë pjesë e procesit. Shumë mirë që janë pjesë e procesit”, përfundoi ai.

Lumir Abdixhiku e mori drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 14 mars 2021, përballë dy kundërkandidatëve tjerë, nënkryetarit Lutfi Haziri dhe anëtarit të kryesisë, Besian Mustafa. LDK është partia e dytë më e madhe opozitare në vend.