TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati Arianit Koçi ka protestuar sot para Kuvendit të Kosovës në një mënyrë të pazakontë.
Në shenjë revolte për moskonstituimin e kuvendit, ai ka prerë flokët publikisht para hyrjes së institucionit.
Me këtë akt simbolik, Koci ka shprehur zhgënjimin dhe pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike për dështimin që kuvendi të nisë punën, pavarësisht kalimit të afateve ligjore dhe pritjeve të qytetarëve.
Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve, ndërsa avokati është shprehur se ky ishte një akt i vetëdijshëm për të ngritur zërin në mënyrë paqësore dhe simbolike.
Ai nuk përjashtoi edhe veprime të tjera të ngjashme nëse institucionet vazhdojnë të neglizhojnë obligimet e tyre.
“Po na rrezikohet shtetësia e Kosovës e miq e armiq tanë po binden se ne nuk jemi të aftë me majtë një shtet. Kjo nuk është më politik, po hyn në kategorinë e parapolitikës. Kërkoj që sot menjëherë të formohet Kuvendi”, tha Koci.
Koçi u shpreh se kjo protestë nuk është veç për politikanë dhe deputet por edhe për krejt popullin që ka rënë në gjumë
“Pa Kuvend nuk ka demokraci, nuk ka shtet e as zhvillim ekonomik e social”, tha ai.
Protesta u bë ndërkohë që dështoi edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke reflektuar ngecjen e thellë të procesit institucional.
Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike .
Kryesuesi i seancës Avni Dehari bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në orën 11:00.
Në qendër të bllokadës mbetet mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit që do të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. PDK, LDK, Lista Serbe, AAK dhe Nisma vazhdojnë të bëjnë rezistencë, ndërsa LVV insiston në kandidaturën e saj (Albulena Haxhiu) dhe votimin e fshehtë.
Sot nga 104 deputetë të pranishëm vetëm 53 deputet votuan pro formimit të këtij komisioni.
Të gjitha këto ngjarje po ndodhin me vetëm pak ditë përpara fundit të afatit 30-ditor kushtetues, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik 2025.