BALLKAN, 17 Maj 2024, 20:12

Kosova nuk u fut në KiE, Haradinaj “shpërthen” ndaj Kurtit: Eksperimentet e tij e kanë dëmtuar imazhin e vendit

Kosova nuk u fut në KiE, Haradinaj “shpërthen” ndaj

Dështimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës sot duhet t’i faturohet kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, “eksperimentet e Kurtit jo vetëm që e kanë dëmtuar imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”.

“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Sot Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.