BALLKAN, 5 Korrik 2022, 19:57

Formohet grupi punues në Kuvendin e RMV-së, diskutohen vërejtjet rreth propozimit francez

Formohet grupi punues në Kuvendin e RMV-së, diskutohen vërejtjet

Grupi i punës që do të përbëhet nga dy deputetë të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së, një nga BDI-ja, një nga Aleanca për Shqiptarët, dhe një deputet nga partitë më të vogla politike nga nesër fillon me debatin lidhur me vërejtjet e tyre për propozimin francez, dhe më pas pritet të dalin me përfundime.

Gjatë takimeve, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel u takua edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi bashkë me koordinatorët e grupeve parlamentare. Nikolla Micevski nga radhët e OBRM-PDUKM-së shpjegoi se cilat do të jenë kërkesat e tyre:

“Të fshihet Neni 11 dhe Neni 14 nga Protokolli, e pastaj në kornizën negociuese ku do të kemi parime mbi të cilat udhëhiqen negociatat, të fshihen nenet për rishikimet vjetore dhe pjesa që i referohet Protokollit të Konferencës së parë Ndërqeveritare. Duke pasur parasysh se vendoset në tavolinë për debat dhe ka dëshirë që të bisedohet, është evidente se ka mundësi që të ketë ndryshime të caktuara sa u përket këtyre situatave”, deklaroi Nikolla Micevski, Koordinator i OBRM-PDUKM-së.

Paraprakisht, Charles Michel në qeveri u takua edhe me partitë më të vogla: Lidhjen Demokratike, PLD-në, PRSD-në (Partia e Re Socialdemokrate) dhe RDM-në. Shumica prej tyre, këto ditë shprehën mospajtimin e tyre për propozimin francez.

Megjithatë, në takimin që zgjati një orë e gjysmë, ata e porositën Mishelin se do të ishte mirë që në këtë proces të angazhohet edhe Parlamenti përmes një grupi pune, i cili do të jepte konkluzione të veta.