AKTUALITET, 7 October 2026, 13:23

Apeli/ Mesazhet që kërkojnë veprime urgjente, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike paralajmëron: Kujdes, verifikoni kërkesën

Apeli/ Mesazhet që kërkojnë veprime urgjente, Autoriteti

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve që kërkojnë veprim të menjëhershëm, pasi paralajmërimet për bllokimin e një llogarie apo ndërprerjen e një shërbimi mund të jenë tentativa mashtrimi.

Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, AKSK këshillon qytetarët që, përpara se të reagojnë ndaj mesazheve të tilla, ta verifikojnë kërkesën përmes kanaleve zyrtare.

Autoriteti thekson se duhet treguar kujdes i veçantë ndaj mesazheve që kërkojnë të dhëna personale, fjalëkalime apo kode verifikimi. Nëse mesazhi vjen nga një person i njohur, rekomandohet që kërkesa të konfirmohet përmes një telefonate.

“Përpara se të veproni, verifikoni kërkesën përmes kanaleve zyrtare”, këshillon AKSK, duke nënvizuar se fjalëkalimet dhe kodet e verifikimit nuk duhet t’u jepen personave të tjerë.

Në rast se një qytetar ka vendosur fjalëkalimin në një faqe të dyshimtë, AKSK rekomandon ndryshimin e menjëhershëm të tij përmes aplikacionit ose faqes zyrtare.

AKSK u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë përpjekjet për mashtrim pranë autoritetit, përmes kanaleve zyrtare të raportimit.

“Tregoni kujdes, verifikoni dhe mos ndani të dhënat tuaja”, është mesazhi i AKSK-së në kuadër të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike.