AKTUALITET, 13 Qershor 2022, 13:51

Tregu i internetit me linja fikse, rritja u frenua në tremujorin e parë

Tregu i internetit me linja fikse, rritja u frenua në tremujorin e

Numri i abonentëve të internetit me linja fikse në fund të tremujorit të parë arriti në rreth 521 mijë.

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve është në rritje të lehtë me 0.7% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ka pësuar rënie me 2.9% krahasuar me fundin e vitit 2021.

Megjithatë, rënia duket se lidhet me rishikimin e shpeshtë të të dhënave të raportuara nga operatorët pranë AKEP. Sidomos operatorët më të vegjël nuk raportojnë rregullisht dhe disa herë shifrat për këta operatorë bazohen në vlerësime të kryera nga vetë AKEP.

Por, nga ana tjetër, edhe raportimet e operatorëve më të mëdhenj shpeshherë nuk janë shumë të sakta. Burime nga tregu bëjnë të ditur se shpesh operatorët kanë tendencën të mos zbresin abonentët e larguar nga shifrat që raportojnë çdo tremujor në AKEP.

Kjo bëhet për të treguar një peshë tregu më të madhe nga sa kanë në të vërtetë. Këto praktika bëjnë që statistikat për numrin e abonentëve të internetit të kenë mospërputhje dhe rishikime të shpeshta.

Megjithatë, tendenca afatgjatë e tregut të internetit me linja fikse është në rritje gjatë viteve të fundit. Tregu në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë. Krahasuar me tregun celular, tregu i internetit fiks ka një shkallë më të ulët përqendrimi dhe duket më konkurrues në strukturën e ndarjes së tij sipas operatorëve.

Pjesa e tregut të operatorit më të madh, Albtelecom, ka qenë në rënie konstante. Në fund të tremujorit I, ALBtelecom zotëronte rreth 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve, nga 24% që mbante një vit më parë.

ALBtelecom ruan një avantazh të lehtë ndaj Vodafone, që ka hyrë në këtë treg prej vitit 2020, kur finalizoi blerjen e operatorit të linjave fikse Abcom. Në fund të marsit, Vodafone zotëronte rreth 21.7% të tregut të internetit me linja fikse, sipas numrit të abonentëve.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg, por me një tendencë të vazhdueshme në rritje. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 11.3% të tregut, e ndjekur nga Abissnet, me 8.2% dhe Digicom me 4.9%. Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku zënë një pjesë domethënëse, prej rreth 23.5% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Shërbimet fikse kanë ende potenciale të mëdha rritjeje, edhe duke pasur parasysh se niveli i depërtimit të tyre është ende i ulët në raport me mesataren rajonale dhe europiane.

Sipas vlerësimeve të AKEP, në vitin 2021 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte mbi 77% për familje dhe rreth 20% nё raport me numrin e popullsisё, duke shёnuar njё rritje tё ndjeshme pёrkatёsisht me 7 pikё pёrqindje dhe 2 pikё pёrqindje nga normat e vitit 2020.

Bazuar në të dhënat rajonale vërehet se qarqet me normat më të larta të penetrimit urban (në raport me popullsinë) edhe për vitin 2021 janë Tirana dhe Korça, përkatësisht me nga 43.55% dhe 30.42%.

Ndërsa Durrësi është qarku që ka normën më të lartë të penetrimit rural rreth 23%, i ndjekur nga Tirana, Shkodra dhe Lezha me nga 10%. Mesatarja e normёs sё penetrimit urban pёr vitin 2021 rezulton rreth 30%, ndёrsa mesatarja e pёr rajonet rurale ёshtё rreth 8%./Monitor