AKTUALITET, 14 Qershor 2026, 20:11

“Të vijë të këndojë ‘Rama jepe dorëheqjen’!”/ Marjana Koçeku braktisi PS-në, protestuesi: Do të bien një nga një, si gurë dominoje

“Të vijë të këndojë ‘Rama jepe

Largimi i deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku nga Partia Socialiste dhe pozicionimi si ligjvënëse e pavarur, nuk ka mbetur pa u komentuar edhe në protestën e 15-të para kryeministrisë.

Një prej protestuesve tha se ky është një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë dhe se “një nga gurët e shahut të PS-së sapo ka rënë”.

Ai e cilësoi vendimin e deputetes si një sinjal politik dhe se pushtetarët “do bien një nga një si gurë dominoje”. I riu ftoi deputeten t’i bashkohet protestave dhe të thërras bashkë me ta ‘Rama, jep dorëheqjen’.

“Sot nuk kisha plan të flisja, por sapo na erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Sot një nga gurët e shahut të PS-së sapo ka rënë. Një deputete ka dhënë dorëheqjen nga Partia Socialiste. Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, sapo ka thënë: “Jam deputete e pavarur”. Ju erdhi fundi.

Kjo, në fakt, na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh. Do bien një nga një si gurë dominoje. Ne e vlerësojmë vendimin e deputetes, por themi që kjo është gjysma e punës. Gjysma tjetër është t’i bashkohet turmës në shesh dhe bashkë me ne të këndojë: “Rama, jep dorëheqjen”. Do të jemi këtu derisa kryeministri të ngelet vetëm, dhe e di kur ngelet vetëm, në qeli”, tha ai.

Kujtojmë se lajmin e ka bërë të ditur vetë deputetja në rrjetin social Facebook. “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”, ka shkruar Koçeku.

“Neomalsorja” u soll si risi nga Edi Rama në PS në listat e 11 majit 2025 për qarkun Shkodër, por tashme ajo ka braktisur PS duke shpjeguar se idealet e saja dhe vlerat i dëftojnë kufijtë që nuk i tejkalon dot.

Largimi i saj besohet të ketë lidhje me ngjarjet e fundit në vend, të protestave masive në Tiranë kundër qeverisë Rama, nisur nga rrethimi i Zvërnecit dhe dhuna ndaj protestuesve atje.

Qytetarët me mijëra për 15 ditë me radhë kërkojnë largimin e Ramës, ndërsa kundërshti ndaj tij ka patur edhe mes socialistëve, veçanërisht atyre që dikur kanë patur role kyçe në administratat e mëparshme socialiste.