AKTUALITET, 15 Gusht 2025, 11:53

Pretendoi se vrau për “nder”/ Babai “monstër” që ekzekutoi me kallashnikov vajzën e tij shtatzënë kërkon ulje të dënimit

Pretendoi se vrau për “nder”/ Babai “monstër”

Doksan Dushku, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen me kallashnikov të vajzës së tij shtatzënë në maj 2014 në Sllovë të Dibrës, kërkon ulje të dënimit në Gjykatën e Lartë.

11 vjet pas krimit Dushku i është drejtuar kësaj gjykate, ku kërkon shfuqizimin e dënimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda në vitin 2015, i lënë në fuqi edhe në Apel.

Në rekursin e depozituar, Dushku pretendon revokim të dënimit për shkak të një vendimi të Kushtetueses, për shfuqizimin e një paragrafi të nenit të Kodit të Procedurës Penale për bashkimin e dënimeve. Përfundinisht ai kërkon dënimin me 21 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 16 vite.

Doksan Dushku, 80-vjeçari nga Dibra, u akuzua dhe gjykua për vrasjen e vajzës së tij shtatzënë, Fatmira Doksani, në oborrin e banesës së tyre në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë. Nga hetimi rezultoi se shkak i vrasjes ka qenë shtatzënia e 21-vjeçares.

Sipas Prokurorisë, ky fakt është vënë re nga familja e saj disa javë para ngjarjes. I pandehuri Doksan pohoi gjatë hetimit se të bijën e kishte vrarë ai, dhe se këtë e kishte bërë për "nder".