AKTUALITET, 22 Maj 2024, 14:15

Nga hetimet për pasurinë, te deklarata e tij për ‘kolegët’, kreu i SPAK-ut flet për Veliajn

Nga hetimet për pasurinë, te deklarata e tij për

Prej disa orësh, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani është pyetur në lidhje me hetimin pasuror që Prokuroria e Posaçme ka nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte pikërisht deputeti i PD-së, Dashnor Sula ai që pyeti Dumanin për këtë çështje, ndërsa ky i fundit theksoi se kjo është çështje hetimi.

Sula: Në çfarë faze, është viti i katërt që po hetohen çështja e inceneratorëve. Kur mund të kemi përfundim të hetimeve. A po hetohen 4 koncesionet e shëndetësisë? Kemi disa tendera të rrugëve, si ajo e Arbrit, e Ersekës. A ka hetime për këto tendera. A është në hetim Veliaj dhe a keni koleg? Ju s’po lini gjë pa bërë, dhe ne nuk po themi gjë.

Bushka: A keni interes për përgjigjet? Ndaloni.

Dumani: Përgjigjet do t’i jap dhe me heshtje ndonjëherë. Lidhur me pyetjen e parë, a ka nisur procedim penal për Veliajn. E kam deklaruar dhe vitin e kaluar. Kësaj pyetje nuk i jap përgjigje për asnjë. As për ju të nderuar deputetë dhe as për mediat. Kjo është çështje hetimi. Kolegë ne kemi vetëm kolegët e Prokurorisë së Posaçme dhe ata të të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gati dy javë më parë Veliaj shkoi në SPAK një orë para orarit dhe qëndroi brenda mbi 7 orë. Pasi doli tha se kishte takuar "kolegët", dhe se kishte vajtur atje se e kishte kërkuar vetë, kur shkresa e prokokurorit Prençi shprehej se ai duhej të paraqitej vullnetarisht, ndryshe do të merrej forcërisht.

Së fundmi SPAK njoftoi se ka nisur hetimin pasuror për Veliajn, bashkëshorten, vëllain dhe nënën e tij.