AKTUALITET, 28 Nëntor 2021, 13:42

NATO uron 28 nëntorin: Bashkohuni me ne për të festuar Ditën e Pavarësisë të aleatit tonë, Shqipërisë

NATO uron 28 nëntorin: Bashkohuni me ne për të festuar Ditën

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) uroi sot Shqipërinë në 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë foton nëpërmjet të cilës NATO uron Shqipërinë për ditën e pavarësisë.

“Bashkohuni me ne për të festuar Ditën e Pavarësisë të aleatit tonë, Shqipërisë”, thekson NATO përmes një fotografie të uniformës ushtarake të Shqipërisë.

Nato Urimi
Nato Urimi

Forcat e Armatosura të Shqipërisë po japin një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO.

Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe misionin “Resolute Support”, pas vitit 2014.

Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it, duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.