AKTUALITET, 12 Korrik 2024, 16:46

Mesatarisht 2 mijë euro, rreth 174 mijë familje shqiptare morën para nga të afërmit në emigrim

Mesatarisht 2 mijë euro, rreth 174 mijë familje shqiptare morën

Mesatarisht, çdo familje shqiptare mori 2 mijë euro vitin e shkuar. Një raport i Bankës Botërore tregon se me këto para ata plotësuar rreth 18 për qind të nevojave, si ushqimi apo blerja e ilaçeve. “Paratë e dërguara nga jashtë konsiderohen të kenë kontribuar në uljen e varfërisë me 8 për qind, veçanërisht për familjet që varen tërësisht nga këto transferta, duke zbutur kështu deri diku natyrën kritike të peizazhit social dhe ekonomik të Shqipërisë” thuhet në raport.

Këto gjetje të Bankës Botërore konfirmohen edhe nga vetë ata që presin para nga të afërmit në emigrim. “Po mos kemi fëmijët ne vdesim. Nuk na mjafton pensioni që marrim. Tani që janë rritur çmimet jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë se përndryshe…”, citon raporti.

Sipas Bankës Botërore janë gati 174 mijë familje shqiptare apo 23 për qind e totalit që varen pjesërisht ose tërësisht nga paratë që iu dërgojnë të afërmit nga jashtë.

Për Bankën Botërore madje remitancat janë 2-fish më të larta nga sa Banka e Shqipërisë raporton. Sipas institucionit më të lartë monetar në botë, vitin e shkuar u dërguan nga emigrantët gjithsej 1.9 miliardë euro. Kjo shifër është 971 milionë euro ose 104.5 për qind më e lartë nga ajo që Banka e Shqipërisë deklaron.