AKTUALITET, 23 Shkurt 2024, 08:43

Makina e parkuar digjet me shishe molotovi në Shkodër, dëshmon pronari i ‘Audi’-t: Pata debate me disa persona (VIDEO)

Makina e parkuar digjet me shishe molotovi në Shkodër, dëshmon

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit.

Një sasi lëndë plasëse (Molotov) i është vendosur një automjeti tip ‘Audi’ i parkuar në parkingun e një supermarketi pranë ‘Teatrit Migjeni’ në Shkodër rreth orës 4:20 minuta.

"Rreth orës 04:30, shtetas ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në automjetin e parkuar në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në pronësi të shtetasit B. F., 40 vjeç. Nga ngjarja ka vetëm dëme të pjesshme materiale.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku po punojnë për të përcaktuar autorsinë e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si pasojë e shpërthimit të fortë, automjeti është dëmtuar pothuajse plotësisht. Nuk dihen akoma shkaqet e këtij shpërthimi, ndërkohë që policia ndodhet në vendin e ngjarjes ku po bën ekspertizën.

Nga kamerat e sigurisë u vu re një person që ka ardhur në vendin e ngjarjes me motor dhe ka hedhur një shishe me benzinë molotov dhe ka ndodhur shpërthimi. Po ashtu mësohet se Bledar Freskina, pronar i “Audi”-it, rezulton të ketë në pronësi dhe një lokal në Shkodër.

Pronari i automjetit ka deklaruar për policinë se nuk e ka idenë se kush janë autorët e vendosjes se molotovit, ndërsa është shprehur se ka patur disa debate të vogla me disa persona të ndryshëm, por nuk ka dhënë emra konkret duke thënë se nuk ka dyshime.