AKTUALITET, 7 Mars 2022, 11:53

Lulzim Basha gjen alibinë për humbjen e thellë: Zgjedhjet ishin anomali e një anomalie...

Lulzim Basha gjen alibinë për humbjen e thellë: Zgjedhjet ishin
Lulzim Basha

Pas disfatës së madhe që pësoi në zgjedhjet e 6 marsit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili e ka kthyer këtë parti në forcë të tretë, ka dhënë një deklaratë për mediat. Basha tha se zgjedhjet e 6 marsit ishin "anomali e një anomalie" duke shtuar se shihet nevoja për një reformë të thellë. 

Pra, duket se këtë rradhë, fajin për humbjen dërrmuese të Bashës e ka sistemi zgjedhor. 

"Së pari dua që procesi të përfundojë. I bëj thirrje numëruesve që të vazhdojnë deri në fund. Së dyti e kam bërë të qartë. 6 Marsi ishte një anomali, anomali e një anomalie, ishte si zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019. Katër kryebashkiakë monist. Kur nuk ka asnjë reflektim për anomalitë e tjera. Mendoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e kuptuan qartë nevojën për një reformë zgjedhore. Prandaj jemi në atë parlament. Kemi marrë një hap përpara duke detyruar krijimin e komisionit për reformën zgjedhore".

PD-ja e Bashës është renditur e treta në të tre bashkitë ku ka përfunduar numërimi, duke grumbulluar shumë pak vota. Ndërkohë kandidatët e Berishës janë renditur në vend të dytë dhe në Shkodër, Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë është duke fituar.