AKTUALITET, 25 Mars 2025, 09:04

Lëndë plasëse në ambientet e jashtme të një lokali në Tiranë, pronari: S'kam konflikte, nuk e di kush mund të jenë autorët

Lëndë plasëse në ambientet e jashtme të një lokali

Një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Ramazan Gaxherri” në Tiranë.

Shpërthimi është regjistruar rreth orës 01:15 minuta të 25 marsit.

Mesohet se ka qenë vetëm një autor që e ka vendosur, por tani do të këqyren të plota pamjet e kamerave, për të kuptuar më shumë.

Pronari i lokalit Sotiraq H. ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte dhe se nuk e di kush mund të jenë autorët e ngjarjes.

“Rreth orës 01:15, është marrë njoftimi se në rrugën “Ramazan Gaxherri”, në ambientin e jashtëm të një lokali të mbyllur në pronësi të shtetasit S. H, rreth 44 vjeç, dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lëndë plasëse” informoi sot policia. 

Si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale. Nuk ka persona të dëmtuar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve”.