AKTUALITET, 21 Prill 2025, 14:37

Kush ishte shënjestër e atentatit ku mbetën të plagosur djemtë e pronarit të “Pelikani Security”? Bie pista që objektiv ishte gruaja e Roan Brahimit

Kush ishte shënjestër e atentatit ku mbetën të plagosur

Detaje të reja dalin lidhur me hetimet rreth atentatit të mbrëmjes së 17 prillit në Lundër, ku mbetën të plagosur djemtë e mitur Vesel Demirajt, pronarit të “Pelikani Security”, shoku i tyre dhe shoferi i familjes Demiraj, të cilët udhëtonin me G-Class.

Ka rënë pista e raportuar se shënjestër e atentatit mafioz të ishte gruaja e Sidorel Prendit alias Roan Brahimi, shtetasja me iniciale A.B., e cila banon në Lundër, kompleks ku jetojnë edhe të rinjtë e mbetur të plagosur.

Grupi hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje është fokusuar te këqyrja e kamerave të sigurisë nga vendi ku ndodhi atentati deri në Lundër ku arriti të shkonte G Class ku udhëtonin, 11-vjeçari Dior Demiraj, i vëllai 17-vjeçar Marko Bardhi Demiraj, shoku i tyre Kian Mullaj, 19 vjeç dhe shoferi i “Pelikani Security”, Arens Stafa, 34 vjeç.

Sipas hetimeve të deritanishme, atentati dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 21:30 të mbrëmjes së 17 Prillit dhe brenda pak minutash mjeti G Class ku udhëtonin 4 rinjtë e plagosur mbërriti në Lundër i bërë shoshë nga plumbat.

Ndërkohë pas rreth 4-5 minuta në Lundër kaloi edhe një tjetër mjet tip G Class, i cili ende nuk është identifikuar nga hetuesit pasi nuk ka pamje të qarta për të zbuluar targën.

Ndërsa në atë orar shtetasja me iniciale A.B., gruaja e Sidorel Prendit alias Roan Brahimi, rezulton të ketë qenë në spitalin e Lezhës, pasi rreth 1 orë e 30 minuta më parë i kishin ekzekutuar vjehrrin, Gjovalin Prendi në atentatin në fshatin Pllajë.

Ajo është nisur nga Tirana për në Lezhë në orën 20:15 dhe në 21:15 ka qenë në spitalin e Lezhës. Më pas është kthyer në banesën e saj në Lundër ku ka mbërritur në orën 23:30. Edhe në dëshminë e saj para hetuesve ka deklaruar se nuk ka lidhje me atentatin në Tiranë dhe se ka qenë në Lezhë pasi e kishin lajmëruar se vjehrri i saj ishte qëlluar me armë dhe ndodhej në spitalin e Lezhës.

Hetuesit tashmë janë fokusuar te automjeti tjetër G Class që kaloi në Lundër pak minuta pas breshërisë së plumbave ku udhëtonin djemtë e Vesel Demirajt, për të zbuluar nëse ka qenë kjo makinë shënjestër dhe jo mjeti ku udhëtonin katër të rinjtë.