AKTUALITET, 8 Shtator 2023, 21:10

Kosova do të mirëpresë Lojërat Mesdhetare 2030, garat për sportet ujore do të zhvillohen në Durrës

Kosova do të mirëpresë Lojërat Mesdhetare 2030, garat

Kosova do t’i presë Lojërat Mesdhetare 2030, që janë një ngjarje e madhe sportive që organizohen çdo katër vjet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare. Fillimisht kjo garë u mbajtën në vitin 1951 në Egjipt, ndërsa e fundit në vitin 2022 në Orat të Algjerisë, ku Kosova korri disa suksese. Në këto Lojëra marrin pjesë atletë nga 26 shtete, pra nga tri kontinente.

Nga Afrika vijnë shtete si Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku e Tunizia, ndërsa nga Azia marrin pjesë Libani, Siria dhe Turqia.

Shtetet evropiane që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare janë: Shqipëria, Andorra, Bosnja, Kroacia, Qiproja, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Malta, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia dhe Spanja.

Nga këto 26 shtete pjesëmarrëse, 10 nuk e njohin Kosovën si shtet. Algjeria, Bosnja, Maroku, Serbia, Siria, Spanja, Qipro, Greqia, Libani dhe Tunizia janë shtetet që nuk e njohin Kosovën, por janë pjesë e Lojërave Mesdhetare.

Kosova u pranua në këtë organizatë në vitin 2015 dhe mori pjesë për herë të parë në në vitin 2018 në Spanjë.

Në Lojërat e fundit Mesdhetare të mbajtura në Oran, Kosova fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta.

Lojëra Mesdhetare zhvillohen në 33 sporte të ndryshme: Gjuajtje me hark, atletikë, badminton, basketboll, volejboll në plazh, bocce, boks, gara me kanoe, çiklizëm, zhytje, kalërim, skermë, hokej, futboll, golf, gjimnastikë, hendboll, xhudo, karate, kanotazh, ragbi, lundrim, qitje, not, pingpong, taekëando, tenis, volejboll, vaterpolo, ski në ujë, peshëngritje, mundje.

Lojërat që zhvillohen në ujë, do të mbahen në Durrës, pas një partneriteti mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, theksoi se miliona euro do të ketë investime publike në infrastrukturë sportive. 

“Mbi 250 milionë euro investime publike në stadiume, pishina, salla sportive e infrastukturë tjetër sportive”.

Sipas ministrit të Financave, edhe hotelet do të përfitojnë.

“Edhe qindra miliona euro tjera investime private në akomodim, hoteleri e turizëm”.

Por sipas tij edhe imazhi i Kosovës në botë do të ndryshojë.

“Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, përmes tyre do të konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar”, shkroi Murati.