TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pjesë e grupit të Suel Çelës, Apeli i GJKKO lë në burg ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu.
Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu për lirimin nga qelia.
Ish-magjistratja, e akuzuar për lidhje me bandën e Suel Çelës, kishte kërkuar lirinë me argument shkaqet shëndetësore. Por, togat e zeza e kanë rrëzur duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj saj.
Pajtime Fetahu ka qenë e lidhur me organizatat kriminale të Hajdar Çopjas si edhe të Suel Çelës.
Gjyqtarja që mbahet e paraburgosur në Pojskë, u ekspozua në dy dosje të SPAK, përkatësisht lidhjet me organizatën “Çopja” dhe organizatën e Suel Çelës, të dyja në Elbasan, për të cilat akuzohet se i ka favorizuar me vendime, duke konsumuar veprën penale të korrupsionit.
Për dosjen e parë ndaj saj u caktua masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, ndërsa për dosjen e dytë ‘arrest në burg’, të cilin kërkon ta shuajë nëpërmjet ankimimit për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
GJKKO më 1 prill e ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’, e akuzuar nga SPAK për lidhje me dy organizata kriminale, të vëllezërve Çopja dhe atë të Suel Çelës.
Fetahu mbahet në qelinë e paraburgimit që prej muajit nëntor të vitit 2024, në kuadër të një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK, mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan, për të cilët akuzohet se i ka favorizuar dhe ka pasur komunikime, të zbuluara këto nga përgjimet e platformës së koduar SKY ECC.