AKTUALITET, 10 Korrik 2025, 12:00

Kavajë, Berisha: Ramaduro i Tiranës shëtit me atlete të bardha nëpër samite, po largon të rinjtë! Do t’u rikthejmë dinjitetin shqiptarëve

Kavajë, Berisha: Ramaduro i Tiranës shëtit me atlete të

Në Kavajë u inaugurua sot shtatorja e Josif Budos, me rastin e 35-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Parë të Demokracisë. I pranishëm në ceremoni ishte kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe figura të tjera demokrate, mes të cilëve edhe Ervin Salianji, i cili sapo ka dalë nga burgu i Fierit pasi fitoi lirinë me kusht.

Berisha përdori podiumin në këtë ceremoni për të sulmuar sërish kryeministrin Edi Rama, teksa e cilësoi si një narkodiktaror me më shumë fuqi se sa regjimi komunist. Për Berishën, Rama është një diktator që shëtit nëpër samite me atlete të bardha, dhe po i përzë shqiptarët çdo ditë e më shumë.

“Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg. Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990. Nuk kishte pushtet më shumë diktatori i fundit se sa ç’ka sot narkodiktatori Ramaduro. Nuk ka urrejtje më të pakët Ramaduro i sotëm ndaj Kavajës, ndaj Shkodrës, se sa ç’kishte Ramiz Alia, diktatori i fundit, ndaj tyre. Nuk kishte urrejtje më të madhe për të rinjtë shqiptarë Ramiz Alia se sa ç’ka sot Ramaduro i Tiranës.

Ai i përzuri, siç u kujtohen ju eksodet, kurse ky narkodiktator që shëtit në samite me atlete të bardha, i përzë çdo ditë dhe në 10 vite ka shkretuar kombin nga të rinjtë e vet sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij të lashtë. Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe. Sot ne, falë kësaj politike të spastrimit etnik, me të cilën ky tejkalon Xhorxheviçin dhe Pashiçin. 45 përqind e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria.”, tha Berisha.

Më tej, komentoi burgosjen e Salianjit, duke thënë se u dënua vetëm sepse ekspozoi mbrojtjen që po i bënte Rama dhe Fatmir Xhafaj vëllait të këtij të fundit. Më tej, Berisha tha se do sakrifica e Josif Budos do t’i frymëzojë në një përpjekje të re për t’u rikthyer dinjitetin shqiptarëve, besimin dhe shpresën.

“Falë kësaj politike, ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit. Falë kësaj politike, ne këtë vit kemi lindje asnjë më shumë se sa kishim një shekull më parë. Çfarë mund t’i bëjë një armik tjetër një kombi se sa u bën Ramaduro shqiptarëve? Sigurisht jetohet në një kohë tjetër dhe ai nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi. Ai burgos kundërshtarët.

Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës. A ka ndonjë dallim të madh varja në litar e Havzi Nelës në vitin 1988 me nxjerrjen brutale dhe rrëmbimin nga makina e tij, goditjen dhe zvarritjen në rrugë të kundërshtarit politik pas 37 viteve të Edi Ramës? Sigurisht ai vdiq, por edhe ky jo vetëm që e terrorizoi, por terrorizoi një popull të tërë. Ndaj miqtë e mi, sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim. Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin.”, tha Berisha.