AKTUALITET, 15 Mars 2023, 17:55

“Grupi i Alibeajt nuk do që të ballafaqohet në zgjedhje”/ Artan Fuga: S’mund të çonte në gjyq Berishën dhe më pas t’i kërkonte bashkëpunim

“Grupi i Alibeajt nuk do që të ballafaqohet në
Fotomontazh: Alibeaj dhe Fuga

Akademiku Artan Fuga ka komentuar zhvillimet e fundit në kampin blu, ku PD-ja e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj është lënë jashtë zgjedhjeve vendore për shkak të një ngërçi formal në KQZ.

Sipas Fugës, një hipotezë e mundshme është edhe se Alibeaj nuk ka dashur vetë të ballafaqohet në zgjedhje për shkak se nuk ka një elektorat të fortë.

Përsa i përket ofertës së Alibeajt për të bashkëpunuar me grupimin e Berishës, Fuga tha për News 24 se nuk ka sens logjik. Akademiku sqaron se nuk ka logjikë politike kur një palë çon në gjyq palën tjetër dhe pasi fiton, i kërkon bashkëpunim.

Fuga: Në njëfarë mënyre, ata që kishin menduar se mund t’i jepnin votën grupimit në fjalë, të drejtuar nga Zoti Alibeaj, sigurisht mund të konsiderojmë se s’kanë ku të hedhin votën. Ky është një problem minor, sepse spektri politik nuk i përmbush synimet politike të një kandidati. Unë do doja të kishte një parti që nuk e gjej në spektrin politik. Do e hedh votën.

Mundet, ka shumë mundësi që grupimi i zotit Alibeaj nuk dëshiron të ballafaqohet me zgjedhjet këtë radhë për arsye të shumë faktorëve që bëjnë që të kenë marrëdhënie shumë të vakët me elektoratin. Mund ta skualifikonte në opinionin publik.

Çfarë mendoni që i ndan palët? Alibeaj kërkonin që kandidatët e Primareve të kandidojnë për PD-në.

Fuga: S’mundet dot që Alibeaj të çojë në gjyq pjesën tjetër të partisë për çështjen e vulës dhe të thotë që vula më takon mua, dhe pas vendimit të gjyqit thotë tani hajde bashkohemi. Nuk shkon kjo logjikë.

Është kjo për të hequr përgjegjësinë nga vetja apo për të lënë “topin” tek fusha e kundërshtarit?

Fuga: Po kjo e dyta është. Për mua ajo që më shqetëson mua nga ana e logjikës politike, se jemi përpara këtyre alogjizma. Pra ne të shkojmë në gjyq për vulën për të përcaktuar se kush e ka atë. Nga e jotja, më pas e marr unë, dhe ai që e fiton thotë tani hajde bashkohemi. Ajo që ka qenë që në origjinë. Në origjinë ka qenë problemi i statusit non-grata të zotit Berisha. Dhe Basha me bazë e përjashtoi nga grupi parlamentar. Më pas kjo mori dimensione të tjera pasi u vendos në pikëpyetje politike Zoti Basha.

Duke u larguar nga Parlamenti në 2019-ën, duke mos hyrë në zgjedhjet e pushtetit lokal i dha pushtetin kryeministrit. Kjo është ndarja e dytë. Një opozitë apo një lëshim ndaj pushtetit. Në planet e tjera ka dhe plane materiale,  instrastrukturën e partisë.