AKTUALITET, 1 Shkurt 2023, 11:50

"Gjest sa imoral edhe i paligjshëm"/ Vajza e Ismail Kadaresë sqaron "intervistën" e Ben Blushit: Bisedë e rëndomtë private, e botoi pa pëlqimin e tij

"Gjest sa imoral edhe i paligjshëm"/ Vajza e Ismail Kadaresë
Fotomontazh: Besiana Kadare dhe Ben Blushi

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare ka reaguar 4 ditë pasi publicisti Ben Blushi botoi në faqen e tij në Facebook, një shkrim, në formën e një bashkëbisedimi me shkrimtarin. Por ky bashkëbisedim që gjeti shpërndarje të gjerë në media pasi përkonte me ditëlindjen e shkrimtarit, hapi një debat për përmbajtjen dhe dialogun e zhvilluar mes tyre. Sot, Besiana deklaron se bëhet fjalë për një bisedë private e cila është kthyer në një "intervistë" nga Blushi, i cili e ka publikuar pa leje dhe padijeninë e shkrimtarit. "Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm", shkruan Kadare.

POSTIMI

Duke qene se plot miq e te njohur me kane pyetur keto dite nese Kadareja vertet i ka dhene nje interviste Ben Blushit, dua te sqaroj publikisht se Ben Blushi, ne fakt, ka krijuar nje interviste, pa dijenine e tim eti, bazuar ne nje bisede te rendomte private qe ka zhvilluar rastesisht ne nje kafene me Kadarene dhe shoqeruesen e tij, A. Bardhyli.
Kohe me pas, Ben Blushi e ka publikuar biseden ne forme "interviste", pa marre pelqimin e bashkebiseduesit, duke abuzuar keshtu me besimin qe iu akordua, dhe me "kurajën" e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete te paditura. Nje gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshem.
Fatkeqesisht eshte bere praktike tashme qe gjithfare njerezish shpresojne te bejne publicitet, duke u perpjekur te shfrytezojne ne forma te ndryshme figuren e Kadarese dhe kontaktin me te. Duke patur parasysh moshen e thyer te tim ati, cdo perpjekje e ketij lloji eshte vertet mjerane.

Në bisedën që Blushi botoi me Kadare, shkrimtari i madh ndante disa nga historitë e jetës së tij. Kadare tregon sesi shikon filma, përdor shallin si aksesor mode në veshjen e tij apo për faktin se në rini, ka dashuruar shpesh.