IDE, 31 Janar 2023, 17:00

Njeriu i pasuruar prej plehrave

Njeriu i pasuruar prej plehrave

Ben Blushi ka arritur të nxjerrë në pritë Ismail Kadarenë me shpresë se po e poshtëron. E ka thirrur me ngulm të pijë një kafe në Tiranë, dhe gjithë bezdinë e Ismailit për të folur me të dhe njerëzit përreth tij në këtë moshë, e ka paraqitur si intervistë, me shpresë se po zbulon “një sekret” që ne nuk e dimë rreth pleqërisë së tij.

Për shkak të distancës që kam me të, nuk e kisha lexuar dhe ndoshta nuk do ta lexoja, nëse dikush nga familjarët e Ismailit, nuk do të më niste linkun e asaj paçavureje që e kishte botuar edhe gazeta "Tema”, siç bëjnë shumica e gazetave në këto kohë, që janë në garë me njëra tjetrën pas çdo marrëzie që u del para.

Nuk po merrem me anën etike të shkrimit, pasi është luks i madh ta kërkosh nga Blushi. As me faktin që është dhe çështje ligjore kur dikë e thërret për kafe në një bisedë të rëndomtë dhe pastaj e paraqet si intervistë.

Por përpjekja e tij për të nxjerrë në pritë një gjeni në moshë të thyer me shpresë se lexuesit, tani e tutje nuk do të mbajnë mend veprën e Kadaresë, por "intervistën” e Blushit për të, tregon gjithë vrerin që Kadareja shkakton tek gjysmë shkrimtarët, gjysmë gazetarët, gjysmë biznesmenët, gjysmë politikanët, gjysmë të korruptuarit, gjysmë intelektualët dhe gjysmë qytetarët realë të Shqipërisë, që duke mos shkëlqyer në asgjë në jetë përveç ligësisë, duan t’i shikojnë dhe të tjerët si gjysmë njerëz.

Nuk është vetëm Blushi i tillë. Është një duzinë njerëzish të paplotësuar dhe të paarrirë në këtë vend, që dështimet dhe mediokritetin e tyre përpiqen ta kompensojnë me përpjekjen për të poshtëruar atë që nuk arrijnë dot.

Dhe duket që është vrer i madh. Nëse ke durim ta lexosh deri në fund intervistën gjysmë imagjinare të Blushit dhe përgjigjet plot bezdi të Kadaresë për të , e kupton realisht çfarë e lumturon Ben Blushin. E lumturon fakti që Ismaili ka dëshirë që disa herë të mos mendojë për asgjë, dhe sidomos fakti që shqipja, sipas tij, do kthehet në gjuhë shtëpiake, afërsisht si gjuha e vllehëve të Voskopojës që vazhdon përdoret vetëm në stane.

Të dyja këto “ëndërra” të tij e bëjnë të lumtur. E para, ajo që shkrimtari ka dëshirë të mos mendojë për asgjë i duket ëndërra më e madhe e tij në jetë për Ismailin, pasi i krijon idenë se ka një moment në jetë që ai e mund Kadarenë, dhe ai është momenti kur Kadareja nuk mendon për asgjë. Aty i duket vetja i barabartë, siç mund t’u duket vetja dy astronautëve në Hënë ku mungon graviteti dhe ata janë njësoj të rëndë, pavarësisht peshës.

E dyta ka lidhje me ëndërrën e tij për zhdukjen e shqipes. Ajo i jep atij një qetësi të madhe për makthet e tij për të ardhmen si gjysmë shkrimtar, pasi Kadareja nuk do të lexohet më në të ardhmen, pasi nuk do ketë gjuhë shqipe.

Dhe kjo e ardhme e ëndërruar për fundin e shqipes, i jep lumturinë që nuk ia jep dot koha e sotme, e cila e ka vendosur Kadarenë në piedestalin e letrave shqipe.

Shpresa e vetme e armiqve të Kadaresë është vdekja e gjuhës shqipe, pasi Kadaresë, nuk ka çfarë t’i bëjë më as mosha, dhe as dëshira për të mos menduar asgjë. Ai e ka bërë “dëmin” për mediokrit, ziliqarët, gjysmë shkrimtarët dhe të mllefosurit me të. E ka shkruar veprën e tij dhe ua ka lënë shqiptarëve dhe botës në dhjetëra gjuhë. Shpresa e tyre tani është të zhduket shqipja që të zhduket dhe Kadareja si shkrimtar bashkë me të.

Kjo është një lloj gjobe që ai ëndërron t’i vërë historia Ismail Kadaresë, meqë as gjyshi i tij, as baba i tij dhe as ai vet, nuk janë të krahasueshëm me të. Është si një hakmarrje në emër të gjithë mediokritetit të fisit të tij.

Por e vërteta biologjike është se Ben Blushi ka shanse si gjithë njerëzit, të bëhet një ditë aq vjeç sa Kadareja është sot, por nuk ka asnjë shans të bëhet aq i madh sa është Kadareja sot. Ndaj e ka gjithë këtë vrer ndaj tij.

Dhe nuk është se mbetem pa fjalë kur këtë e bën Ben Blushi. Kudo ku ka shkuar ai ka qenë një lloj gjobaxhiu në çdo profesion.

Kur ishte pjesë e administratës shtetërore afër kryeministrit Nano , u shqua si i korruptuar dhe përfitues favoresh nga kryeministri i asaj kohe që e kishte të vetin.

Kur ishte pjesë e politikës, dhe mbetej jashtë tavës së pushtetit merrte pozat e njeriut që mendonte për vegjëlinë dhe luftonte bandat e korruptuara të pushtetit por, befas, përfundoi pjesë dhe madje në krye të një prej bandave më të pështira të korrupsionit qeveritar, asaj të inceneratorëve, duke kthyer televizionin më të madh në vend, në një grup të gatshëm të tyre, që përndiqte çdo makinë që nuk dorëzonte plehrat tek ata.

Dhe shpërblimi është publik. Nga një “përfaqësues i vegjëlisë” që i bënte opozitë Edi Ramës përfundoi në një njeri që paguhej 246 milion lek të vjetra në muaj afërisht 210 mijë euro në muaj, një rrogë afërsisht se rroga vjetore e presidentit të SHBA.

Është kjo arsyeja që sot atë e shikon pas Edi Ramës në çdo vend, pas atij kryeministri, të cilin e ka anatemuar se ka shokë banditë apo hajdutë në parlament. Tani i ngjitet nga pas në avion për Ukrainë apo Hagë, duke bërë qoftë dhe si fotograf, me shpresë që ata të SPAK do ta shikojnë dhe nuk do ta prekin. Dhe Edi Ramës i shijon kaq shumë deri në perversitet, ky lloj poshtërimi, duke bërë si njeri tolerant që i fal "tradhtarët” .

Dhe falë këtyre historive korruptive të tij tani i ka realizuar të gjitha ëndërrat materiale. Është bërë milioner, siç ka ëndërruar. Ka miliona euro në llogari bankare të marrë formalisht prej TV, me të cilin u zu për ndarje plaçke. Por duket se milionat nuk i japin dot qetësinë e njeriut të realizuar.

Emri nuk fitohet aq lehtë sa lekët. Dhe për ta kompensuar këtë, mendon se një rrugë më e lehtë është të poshtërojë ata që e kanë bërë vet emrin e tyre. Siç është Ismail Kadareja.

Në botimin e tij të fundit, në të cilin ai pretendon se po na zbulon 41 sekrete, në fakt ai zbulon vetëm një sekret, atë që nuk është i realizuar si shkrimtar. Në fund të fundit nuk i ka kërkuar njeri 41 sekrete. Shqiptarët prej tij presin t’u tregojë vetëm një sekret, si ka mundur të pasurohet prej plehrave. /Gazeta Tema/