AKTUALITET, 16 Dhjetor 2022, 12:06

Gara për kreun e SPAK, ikën sinjali gjatë fjalës së Altin Dumanit, rikthehet pas kërkesës së ndërkombëtarëve në sallë

Gara për kreun e SPAK, ikën sinjali gjatë fjalës së
Altin Dumani

Një incident ka ndodhur gjatë fjalës së prokurorit Altin Dumani, ndërsa prezantonte platformën e tij për drejtimin e SPAK dhe fjala e tij në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u ndërpre për disa minuta. Kjo ka sjellë edhe reagimin e ndërkombëtarëve të pranishëm në sallë të cilët kërkuan zgjidhjen e problemit.

Gjatë fjalës së tij Dumani tha se është e nevojshme sa më parë miratimi i një rregulloreje për prokurorinë e Posaçme.

Ai u shpreh se duhet edhe një udhëzim i unifikuar për të renditur aktet dhe fashikujt. “Dua  të përmend edhe disa nga pikat e platformës time për hetime që janë të nevojshme të kryhen. Një nga hapat e parë është miratimi i rregullores për funksionimin e prokurorisë. E vlerësoj ai akt jetik. Është një draft i përgatitur.

T’i nënshtrohet një diskutimi konstruktiv dhe sa më shpejt ky akt të bëhet funksional. Unë vlerësoj se kjo duhet të bëhet. Miratimi i një udhëzimi të përgjithshëm për të unifikuar aktet në fashikujt. Nga praktika e këtyre viteve kam parë se prokurorë të ndryshëm i rendisin në mënyra të ndryshme aktet dhe fashikujt.

Miratimi i një udhëzimi për shortimin e çështjeve penale për të rritur transparencën dhe shpërndarjen e punës. Në raport me BKH besoj se duhet të krijohet një klimë bashkëpunimi për forcimin e marrëdhënieve mes dy organeve. Rritja e kapaciteteve njerëzore të BKH, prova digjitale, trajnimin e hetuesve, nxitja e drejtorit të BKH për hartimin e metodologjisë”, tha ai.