AKTUALITET, 16 Dhjetor 2022, 10:25

Gara për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi: Duhet të kemi hetime konkrete bazuar në prova, plotësoj kriteret e garës

Gara për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi: Duhet të kemi hetime

Këshilli i Lartë i prokurorisë ka nisur seancën për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

Kandidati Adnan Xholi deklaroi se kjo prokurori është bërë efektive dhe është e konsoliduar falë punës së palodhur dhe ndihmës së ndërkombëtarëve. Ai theksoi se nuk ka asnjë konflikt interesi me anëtarët e KLP.

Xholi: Plotësoj kriteret e KLP për tu ngritur në detyrën e drejtuesit, me bindjen se kam aftësinë për të drejtuar SPAK. Nuk kam asnjë konflikt interesi me ndonjë nga anëtarët e KLP.

Gjatë fjalës së tij, Xholi tha se duhet të kemi hetime konkrete dhe rezultate të shpejta duke u bazuar gjithmonë në prova për tu përballur me publikun.

Xholi: Kam mbi 24 vite eksperiencë, karriera ka pasur rritje të vazhdueshme. E kam nisur nga roli bazë deri në ngjitjen e shkallëve të karrierës.

Drejtuesi ka rolin që tërheq të gjithë trupën në një betejë.

Çdo lloj prokurori i Prokurorisë së Posaçme duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën do të ketë mbështetjen time.

Unë do të vë në dispozicion të gjithë bagazhin tim dhe eksperiencën drejtuese për mbi 13 vite si drejtues, në hetimin e çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.