AKTUALITET, 26 Maj 2026, 00:05

Drejtori financiar i aeroportit të Vlorës: VIA ka ndërprerë kontratën dhe Mabco e Pacollit nuk është më kontraktor

Drejtori financiar i aeroportit të Vlorës: VIA ka ndërprerë

Bujar Ejupi, drejtor financiar i Vlora Interntional Airport, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se VIA e ka ndërprerë kontratën me Mabco-n e Behgjet Pacollit, për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore.

Pjesë nga biseda

Abilekaj: Zoti Ejupi duke qenë drejtor financiar nuk mund të flasë për raportet mes aksionerëve, por nga ajo që dimë, vetë Pacolli e ka pranuar se duhet të jap 49 për qind të aksioneve. Pyetja ime është për shkak të mungesës së auditit, ky konflikt që është tani, apo se është se Mabco nuk ka kryer punimet dhe kanë mbetur punët mbrapa?

Ejupi: Punimet janë të kontraktuara, ekzistojnë situacionet, preventivat, se sa është vlera e punimeve dhe nuk e di nga ka ardhur vlera që ka dalë në media. Punimet në aeroportin e Vlorës nuk zhvillohen pa u mbikëqyrur, sepse ekziston inxhinieri i pavarur që i mbykqyr punimet.  Fillimisht kanë qenë të mbikëqyrura nga inxhinierët e VIA, pastaj ka kaluar te inxhinieri i pavarur dhe për secilin situacion ka patur aprovime.

Rakipi: Punimet vijojnë?

Ejupi: Punimet vijojnë. Një pjesë e punimeve të lidhen me Mabco-n, për shkak të mospërmbushjes së kontratës, VIA ka marrë vendim që të ndërpresë kontratën pas një periudhe prej një muaji i gjysmë dhe i janë kërkuar Mabco-s  shpjegime, korrektime të kualitetit të punëve dhe pasi nuk morëm përgjigje, sipas kontratës, atëherë pason shkëputja dhe përfundimi i kontratës. VIA ka ndërprerë kontratën dhe Mabco nuk është më kontraktor.