AKTUALITET, 17 Qershor 2025, 12:00

Dëshmia/ Alibej tregon pse vendosi të vriste vëllanë e Talo Çelës! I pandehuri Hoxha nga kafazi e ironizon: O Tommaso Buscetta...!

Dëshmia/ Alibej tregon pse vendosi të vriste vëllanë e Talo

Bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, Erjon Alibej, po vijon edhe sot (17 qershor) dëshminë e tij në GJKKO, për aktivitetin kriminal para dhe pas vrasjes së vëllait të tij, xhaxhait dhe mikut turk të familjes, ë atë që njihet si “Masakra e Bradasheshit”, më 2018 në Elbasan.

Kreu i një prej organizatave të fuqishme në Elbasan, ai ka rrëfyer pse ndërmori sagën e hakmarrjes për gjakun e familjarëve të tij, teksa kishte humbur besimin të drejtësia dhe aleancat me kreun e skuadrës së vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani për eliminimin e kundërshtarëve.

Alibej e rinisi dëshminë aty ku e la seancën e kaluar në GJKKO, ndërsa SPAK i ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit, kurse Dumanit të të penduarit të drejtësisë.

Alibej e nisi rrëfimin me vrasjen e Bujar Çelës në muajin tetor të vitit 2020, vëllait të armikut të tij Talo Çela, pasi tek ky i fundit dyshonte se ishte dora që tërhoqi këmbëzën në “Masakrën e Bradasheshit”.


“Bujar Çela ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, vendosa që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës. Xhuljani me jepte informacione”, tha ai.
Në këtë moment ndërhyn Xhuljan Hoxha nga kafazi:

“Unë kam qenë në shtëpi. I sigurt që ke folur me mua o Tomazo Busheta… (Tommaso Buscetta, i penduari i mafias italiane “Cosa Nostra” në Palermo).

Erjon Alibej vijoi rrëfimin e tij:

“Për Bujarin vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua Skerdi Tase për ta ekzekutuar dhe Henrik Hoxha. E morën si punë, u angazhuan të dy. U morën disa ditë rresht per ekzekutimin e Bujar Çelës. Nuk e kuptova pse u tërhoqën, as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse nuk e vranë. Informacionet për Bujarin unë i kisha të gjitha, përveç informacioneve që kishte Nuredini nga Eljo Bitri. Nuk u arrit në atë periudhë, pastaj Bujari u mor me Abedin Mamën. Më pas, sa i përket ditës së ekzekutimit të Bujarit, u angazhua ditë përpara çunat e Fushë Krujës, Besi dhe Veri (Besmir Xhixha dhe Enver Diva).

Çunat e Fushë Krujës, ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi, me atë erdhën nga Fushë Kruja. Kanë pritur njëherë te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën. U larguan nga zona aty dhe më pas u afruan te lokali ku ishte Bujari. Pasi kanë mbaruar veprimin, më ka shkrujatur Nuredini në sekond që “mbaroi Bujari”. Makinat u larguan njëkohësisht, Renaulti u dogj, më pas me makinën E Class shkuan për Fushë Krujë”, tregoi bashkëpunëtori i SPAK për atentatin e ndodhur në Elbasan.
Xhuljan Hoxha ndërhyn përsëri në dëshmi dhe flet duke kundërshtuar Alibejn:

“Tregoje pak si e pyesje Megi Kilën për Emiljano Ramazanin? Pse nuk e permend Megi Kilën, dashurinë e shekullit? Se për vrasjen e Bujar Çelës unë kam qenë në shtëpi. S’kam lidhje fare me këtë ngjarje. Procesi jonë është i padrejtë fare, po manipulohet. Gjyqi zhvillohet si don Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej. Do të lutem shumë gjyqtare, si fliste ai me Megi Kilën? Më shumë se burg përjetë nuk keni çfarë më bëni më. Le të mbarojë ai deklarimet se kam unë për të folur për të”.
Erjon Alibej vazhdoi me dinamikën për ekzekutimin e vëllait të Talo Çelës, të cilin gjithashtu e dyshonte si të implikuar në ngjarjet kriminale ndaj familjes së tij.

“Arsen Preçit i dhashë 60-70 mijë euro, aq sa më dha Nuredini. Nuk e mbaj mend mirë shumën. Ia dhashë në një karburant afër Vorës”, tha ai për një tjetër person të përfshirë në atentatin ndaj Bujar Çelës.