AKTUALITET, 9 Prill 2023, 19:55

Deputeti i grupit të Alibeajt: Po të ishim të shitur te Rama, do t'i gjenim 61 kandidatë

Deputeti i grupit të Alibeajt: Po të ishim të shitur te Rama, do
Deputeti Arbi Agalliu

Deputeti i grupimit të drejtuar nga Alibeaj, Arbi Agalliu, tha se PD-ja e vulës i kishte 61 emra për kandidatë për bashki për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj, por nuk i nxorrën, pasi menduan që votat e demokratëve mos të ndaheshin më dysh. Agalliu tha se ata nuk do të bëjnë fushatë për lëvizjen e koalicionit Berisha-Meta, por vetëm për anëtarët e këshillit bashkiakë të cilët janë me logon e PD-s zyrtare.

Deputeti i grupimit të Alibeajt tha se mosnxjerrja e emrave për 61 bashkitë tregoi se grupimi i tyre nuk është i shitur tek Edi Rama, duke hedhur poshtë akuzat e Sali Berishës.

‘PD nga momenti i datës 9 shtator kur Basha përjashtoi Berishën pasi u shpall non grata ka pasur një sërë ngjarjesh të rëndësishme që e kanë ndarë PD-në në dy grupime. PD beson se është e ardhmja e PD-së, nga ana tjetër është grupimi tjetër që kërkon qarkullim elitash, duke mos venë në pikëpyetje edhe aleancën me SHBA-në. Berisha ka vendosur të bëjë aleancë me Metën. Ne kemi qëndruar nën logon e PD-së, duke u munduar që mos ti hedhim benzinë zjarrit. Kemi menduar se qëndrimi dhe takimi në mënyrë individuale i ka shërbyer mos ndarjes edhe më tej të këtij grupimi. Absolutisht nuk është e vështirë që të gjenim 61 kandidatë për bashki. Ne menduam se vota e PD-së të mos ndahej në dyshë. Por kjo nuk do të thotë se do të bëjmë fushatë për lëvizjen e tyre. Do të bëjmë fushatë për këshillat e PD-së, dhe logon e PD-së. Demokratë duhet të kuptojnë një herë e mirë se duhet të votojnë logon e PD-së. Në Tiranë ka pasur disa bashki në të cilat strukturat përkatëse kanë kërkuar me insistim që të nxjerrin kandidatë. Tirana duke qenë një metropol, fushëbeteja kryesore menduam të mbajmë të hapur diskursin politik. I kemi lënë demokratët e lirë të vendosin se kë do të votojmë. Nëse do të ishim të shitur do t’i gjenim 61 kandidatë, por kjo nuk është e vërtetë.’- u shpreh ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas 14 majit me situatën brenda Partisë Demokratike, Agalliu tha se duhet të kryhen zgjedhje të reja dhe PD duhet të zgjedhje kryetarin e ri.

‘Pas zgjedhjeve të 14 majit, PD duhet të bëjë zgjedhje të reja dhe të zgjedhë kryetarin e ri të PD-së. Nëse nuk riorganizohet do të ketë probleme të mëdha.’- tha Agalliu për Report TV.