AKTUALITET, 25 Prill 2023, 17:54

Debati për posterat në kryeqytet, reagon Belind Këlliçi: Më vjen mirë që ka pasur kaq shumë reagime

Debati për posterat në kryeqytet, reagon Belind Këlliçi:

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me posterat e tij që ka vendosur të nxjerrë nëpër kryeqytet, fotografi që kanë bërë zhurmë.

Në poster Këlliçi shfaqet me dy gishtat e mesit lart, ku sipas tij, është ajo çfarë ai do t’i tregojë korrupsionit nëse do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Por duket se kjo gjetje e Këlliçit nuk u prit mirë dhe nga Xhamitë e Tiranës, të cilat e kritikuan këtë veprim, ndërsa kërkuan që të reflektohej mbi këtë rast.

Ndërkohë, Këlliçi në një reagim për Abcnews tha se i vinte mirë që kishte pasur kaq shumë reagime dhe se qytetarët janë dakord me luftën kundër korrupsionit në Bashkinë e Tiranës

“Më vjen mirë që ka pasur kaq shumë reagime dhe që qytetarët janë dakord me luftën ndaj korrupsionit të Bashkisë Tiranë.Korrupsioni është gangrena e shoqërisë sonë ndaj dhe lufta ndaj këtij fenomeni është në krye të axhendës sime. Me çdo mjet të mundshëm.”, tha në reagimin e tij Këlliçi.