TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në pesë burgje dhe paraburgime të sigurisë së lartë në Shqipëri pritet të vendoset një sistem modern anti-dron, me synimin për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në qeli përmes mjeteve fluturuese.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije për News24 se sistemi do të instalohet fillimisht në paraburgimin 313 në Tiranë, ku mbahen të izoluar personat më të rrezikshëm të botës së krimit, mes tyre krerë bandash kriminale dhe autorë apo porositës atentatesh mafioze.
Në këtë institucion ndodhen edhe 13 të penduar të drejtësisë, dëshmitë e të cilëve kanë ndihmuar SPAK-un dhe prokuroritë e posaçme në zbardhjen e disa dosjeve të bujshme kriminale.
Sistemi anti-dron do të vendoset gjithashtu në burgjet e Peqinit, Drenovës, Fierit dhe Reçit të Shkodrës, ku vuajnë dënimin ose mbahen në paraburgim eksponentë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas ekspertëve të sigurisë, instalimi i këtyre sistemeve është i domosdoshëm, pasi monitorimi aktual me kamera nuk mjafton për të identifikuar apo neutralizuar dronet që mund të operojnë në distanca të mëdha.
Teknologjia e re pritet të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke parandaluar kontrabandën, survejimin e paautorizuar dhe tentativat për arratisje, si dhe duke mundësuar reagim të shpejtë ndaj çdo kërcënimi ajror.
Referuar dokumenteve zyrtare, tenderi me vlerë 2.3 milionë euro është fituar nga kompania “Albascan”, e administruar nga Elton Jorgjis. Nga katër ofertues, tre kompani u skualifikuan pasi nuk kishin kryer më parë punë të ngjashme në fushën e sigurisë.