TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka nisur hetimet për veprën penale “Ngacmimi seksual” kundër fëmijëve, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal, pas referimit të informacionit nga Komisariati i Policisë Librazhd, se më datë 16.04.2025, shtetasi V.A, drejtor i shkollës “Sali Halili”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas ka kallëzuar faktin se i kishin ardhur informacione se shtetasi Fatmir Hoxha, mësues i lëndëve “Histori-Gjeografi në shkollën vartëse “Ali Hana”, në fshatin Skënderbej, Prrenjas, kishte ngacmuar seksualisht dy nxënëse të tij në klasën e VIII dhe në klasën e IX.
Pas marrjes së informacionit, janë kryer menjëherë veprimet e para procedurale dhe hetimore nën drejtimin e prokurorit të çështjes, ku janë pyetur punonjës të shkollës ku dyshohet se është kryer vepra penale, prindër të viktimave të mitura, janë administruar përmes këqyrjes dokumente të mbajtura nga ana e stafit administrativ të shkollës në fjalë, si dhe vendimi për pezullimin nga detyra të shtetasit Fatmir Hoxha.
Si rezultat i këtyre veprimeve paraprake hetimore është krijuar dyshimi se shtetasi Fatmir Hoxha, duke shfrytëzuar detyrën e tij si mësues dhe faktin që në klasat e viktimave të mitura nuk ka patur shumë nxënës të tjerë, pasi krijonte situata ku ato të gjendeshin vetëm, ka kryer sjellje me natyrë ngacmuese seksuale kundrejt tyre.
Në kushtet e dyshimeve të krijuara si më lart, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Fatmir Hoxha, i cili nuk është gjetur në ambientet e banesës së tij.
Ndërkohë, po më datë 16.04.2025, në orët e mbrëmjes, ky shtetas është kapur në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, teksa është paraqitur për të dalë nga territorit i Republikës së Shqipërisë për në Austri, përmes një linje ajrore.
Duke vlerësuar rrezikun e ikjes së shtetasit Fatmir Hoxha, është proceduar me ndalimin e tij.
Lidhur me rastin, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga prokurori dhe OPGJ të specializuar për çështje me viktima të mitur, si dhe janë njoftuar njësitë përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe strukturat shtetërorë përgjegjëse.
Njëkohësisht, po vijohet me thellimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të faktit penal dhe identifikimin e rasteve të tjera potenciale në të njëjtën shkollë të kryer nga personi nën hetim Fatmir Hoxha.