AKTUALITET, 11 Shkurt 2024, 18:40

Aksidenti në Belsh, spitali rrëzon policinë: Janë plagosur 4 anëtarë të familjes, në gjendje të rëndë nëna dhe një nga vajzat binjake

Aksidenti në Belsh, spitali rrëzon policinë: Janë plagosur 4

Si pasojë e aksidentit të rëndë që ndodhi sot në fshatin Dragot në Belsh u plagosën 4 pjesëtarë të një familjeje, mes tyre dhe vajzat binjake 8-vjeçe.

Makina që drejtohej nga nëna e vajzave doli nga rruga dhe u përmbysur në arë e më pas makina shpërtheu në flakë.

Të plagosurit u nxorën nga makina me ndihmën e banorëve të zonës, fatmirësisht përpara se makina të përfshihej nga flakët.

Katër të plagosurit e familjes Metaj u transportuan drejt Spitalit Rajonal Berat, pasi largësia ishte me afërt dhe menjëherë janë futur në sallën e operacionit.

Burimet zyrtare spitalore bëjnë me dije se ata kanë pësuar plagë të shumta në kokë dhe se në gjendje më të rënduar janë nëna dhe 1 nga vajzat binjake.

Të njëjtat burime konfirmojnë se të plagosurit po mbahen nën monitorim, ndërkohë që po u bëhet ekzaminimet e nevojshme.

Më parë policia deklaroi se nga ngjarja ka mbetur e lënduar vetëm një vajzë 8-vjeçare, e bija e drejtuesit të mjetit. E mitura ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ka nisur puna për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

"Rreth orës 16:45, në aksin rrugor “Belsh-Kuçovë”, automjeti me drejtues shtetasin E. M., ka dalë nga rruga dhe për këtë shkak automjeti është përfshirë nga flakët.

Si pasojë është dëmtuar lehtë dhe po merr asistencë mjekësore vajza e shtetasit E. M., 8 vjeçe (pasagjere), e cila është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për përcaktimin e rrethanave të këtij rasti."-deklaronte policia.