AKTUALITET, 9 Maj 2022, 21:33

A u shkarkuat për shkak të dosjes Tahiri dhe a jeni takuar me Ramën? Imeraj: Si mund të ishte hetuar ndryshe çështja Tahiri

A u shkarkuat për shkak të dosjes Tahiri dhe a jeni takuar me
Elisabeta Imeraj, Edi Rama, Lorenc Vangjeli

Elisabeta Imeraj, ish drejtuese e prokurorisë së Tiranës, ka qenë e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për shkarkimin e saj nga procesi i vettingut. 

Imeraj është pyetur nëse shkarkimi ka lidhje me dosjen Tahiri dhe a është takuar ajo me kryeministrin Edi Rama.

Ish prokurorja mohoi të jetë takuar me Ramën. Ndërsa në lidhje me çështjen Tahiri, sugjeroi se si mund të ishte hetuar ndryshe kjo çështje. Imeraj deklaroi se të gjithë prokurorët që hetuan fillimisht Tahirin, janë shkarkuar nga vetingu.  

Pjesë nga biseda: 

Lorenc Vangjeli: A keni ndonjë ide për dosje përvëluese që keni patur në dorë që mund të kenë nxitur zemëratën e politikës?

Elisabeta Imeraj: Unë nuk mund të vë gishtin. Si prokurore, nuk kam hequr kurrë dorë nga asnjë dosje. Nuk kam hequr dorë, nuk jam shmangur asnjëherë. E kam ndjekur punën me vullnet dhe pasion. Për mua, sado e rëndësishme ka qenë çështja për shkak të subjekteve janë parë njëlloj. Në subjekte të rrezikshme impenjimi është më i madh. Kam hetuar çështje që lidhen me politikën, krimin e organizuar.

Lorenc Vangjeli: Dosja e Saimir Tahirit, që ka tronditur klasën politike shqiptare, ka ndikuar në sjelljen ndaj jush?

Elisabeta Imeraj: Kam qenë një nga prokuroret që është prezantuar në Komisionin Parlamentar për kërkesën për zotin Tahiri. Të tre prokurorët që kanë qenë aty, janë shkarkuar. Unë jam e fundit.

Lorenc Vangjeli: Mendoni se kjo ka ndikuar?

Elisabeta Imeraj: Duke gjykuar nga interpretimi që i është bërë sjelljes time, do të thoja që politika nuk dëshiron, nuk pranon një prokuror të guximshën. 

Lorenc Vangjeli: Jeni takuar me Edi Ramën?

Elisabeta Imeraj: Për cfarë?

Lorenc Vangjeli: Nuk e di, këtë e dini ju.

Elisabeta Imeraj: Nuk ka rastisur të takohemi. Jo.

Lorenc Vangjeli: Me gjasë ju dhe dy kolegët tuaj në atë panel, ndoshta, pas arrestit të mundshëm të Tahirit vinte rradha e 12 drejtorëve në qarqë dhe nuk do të mbaronte këtu?! Ishte rast që e tendoste politikën. 

Elisabeta Imeraj: Ju po i referoheni një hetimi të mbyllur. Nuk më ka interesuar kurrë as në rolin e prokurorit tendosja dhe çtendosja e politikës. Ne kërkuam arrestimin e ish ministrit. Unë do të jap mendimin tim si mund të ishte hetimi më i plotë.
Duhet të ishin hetuar 12 drejtorët e qarqeve, e parë në këtë plan, është parë e nevojshme një kërkesë e tillë. Të flasim për ato që nuk janë bërë nga prokuroria është element tjetër.

Lorenc Vangjeli: Kjo është nga ato arsye që ju i keni në mend por ndoshta nuk i thoni.