AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 23:35

"A ndiheni i mashtruar nga McGonigal?"/ Sejamini pyet Ramën për mikun e tij, ish agjentin e FBI-së

"A ndiheni i mashtruar nga McGonigal?"/ Sejamini pyet Ramën

Analisti Neritan Sejamini e pyeti kryeministrin Edi Rama në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” për takimet me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, në Tiranë dhe në SHBA, të cilin ai e kishte konsideruar si mikun e tij, një vit më parë.

Rama nuk iu përgjigj pyetjes së analistit nëse ndihet i mashtruar nga ish-zyrtari që po ndiqet tashmë penalisht në SHBA për disa vepra penale, duke thënë se kjo është çështje e drejtësisë amerikane.

Debati në studio:

Neritan Sejamini: Ju në të gjithë takimet që patët me McGonigal, ju nuk dyshuat asnjëherë që ai nuk vinte si zyrtar i FBI?

Edi Rama: Ai është njeri real atje, një nga zyrtarët më të lartë. Çfarë të dyshoja unë?

Neritan Sejamini: Që po vinte për interesa private.

Edi Rama: Nuk ka ndarë me mua asnjë interes privat ai. Të dyshoja unë që ai vinte të vidhte luleshtrydhe me Deripaskën….?!

Neritan Sejamini: Si ndiheni sot, ndiheni i mashtruar që ka ardhur dhe mund të ketë bërë diçka që ne nuk e dimë akoma?

Edi Rama: Po çfarë pyetje është kjo? Mund të ketë bërë diçka që ne nuk e dimë? Si të them unë mund të kesh bërë ti diçka që Ylli nuk e di?  Nuk është detyra ime të zbatoj në emër të të tjerëve, ligjet në Amerikë. Është detyra e tyre.

Neritan Sejamini: Si reflektim personal për këtë gjë, që të mos ndodhë në të ardhmen?

Edi Rama: Unë kam takuar Donald Trump-in, FBI ka katër vjet që i rri në qafë. Mos ta takoja unë?

Neritan Sejamini: Po Donald Trump nuk akuzohet se ka fshehur takimet me ty.