AKTUALITET, 18 Qershor 2020, 09:55

“Vatër e koronavirusit?”/ Spitali i Vlorës: Personeli shëndetësor që rezultoi pozitiv u infektua jashtë institucionit shëndetësor

“Vatër e koronavirusit?”/ Spitali i Vlorës: Personeli


Spitali i Vlorës ka reaguar pas akuzës së PD dega e Vlorës, se ai është kthyer në vatrën e infeksionit në qytetin bregdetar.

Në një postim në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Spitali rajonal i Vlorës bën me dije se “një personel shëndetësor asimptomatik që ka rezultuar pozitiv është infektuar jashtë spitalit duke qenë pjesë e rrethit të kontakteve të personave të testuar më parë.

Punonjësja, për arsye të tjera shëndetësore ka qenë me paaftësi të përkohshme gjatë kësaj kohe”.

Spitali i Vlorës thekson se në zbatim të dispozitave ligjore, prej muajsh “ka ndaluar hyrjet e familjarëve duke arritur të mbrojë personelin si dhe vetë pacientët duke mirëmenaxhuar, si dhe në bashkëpunim me çdo qytetar vlonjat që ka treguar mirëkuptim.

-Janë qindra vizita mjekësore që kryhen çdo ditë nga mjekë e infermierë të palodhur që i japin qytetit vlerën e profesionistëve!

-Janë jetë të shpëtuara çdo ditë nga puna e tyre, janë ato ekipe që sfiduan panikun edhe për muaj të tërë mohuan familjet e tyre duke ju përkushtuar profesionit më fisnik në botë".