SPORT, 26 Shkurt 2026, 19:03

Zbulohet lojtari i vetëm, i pakënaquri në kampin e Bajern Mynih

Zbulohet lojtari i vetëm, i pakënaquri në kampin e Bajern Mynih

Gjithçka po shkon në mënyrë perfekte për Bajernin e Mynihut vetëm pak ditë para “Der Klasiker” kundër Borusia Dortmund të shtunën në mbrëmje (ora 18:30), pasi skuadra nga Mynihu është ende në garë për të fituar të tre kompeticionet. Megjithatë, në skuadrën e liderëve të Bundesligës raportohet se ka vetëm një lojtar që po shfaq shenja pakënaqësie.

Kështu ka raportuar Sport Bild. Sipas mediumit, lojtari i huazuar Nikolas Xhekson është aktualisht i vetmi në skuadrën e trajnerit Vinsent Kompani që është “qartësisht i pakënaqur” me rolin e tij te bavarezët. 24 vjeçari është lënë gjithnjë e më shumë jashtë formacionit në javët e fundit dhe aktualisht e ka të vështirë të konkurroj në sulm me emra të konsoliduar si Herri Kejn, Majkëll Olise dhe Luis Diaz.

Xhekson ka qenë titullar vetëm në pesë ndeshje mes Bundesligës dhe Ligës së Kampionëve, një numër shumë i vogël për ambiciet e lojtarit të huazuar nga Çelsi. Ndërkohë, lojtarë të tjerë që kanë më pak minuta, si Minzhae Kim apo Tom Bishof, e kanë pranuar situatën dhe, sipas “Sport Bild”, po presin “në heshtje” mundësinë e radhës për të treguar veten.

Në rastin e Xheksonit, frustrimi i tij është i dukshëm. Mundësia që senegalezi të qëndroj në Mynih përtej verës, pra që klubi të aktivizoj opsionin e blerjes prej rreth 65 milionë eurosh, aktualisht duket pothuajse e pamundur. Së fundmi, madje kanë qarkulluar spekulime se Xhekson mund të largohet nga lideri i futbollit gjerman drejt Arabisë Saudite pas përfundimit të marrëveshjes së huazimit. Sulmuesi ka regjistruar gjithsej 22 paraqitje me fanellën e Bajernit të Mynihut, duke shënuar pesë gola. Megjithatë, goli i tij i fundit në Bundesligë daton tre muaj më parë, më 29 nëntor 2025, kur realizoi në fitoren 3-1 në shtëpi kundër St. Paulit.