SPORT, 31 Dhjetor 2024, 19:50

Yll te Reali, dështim epik te Mançester Junajtid! “Djajtë e kuq” duan të heqin qafe Kasemiron në janar

Yll te Reali, dështim epik te Mançester Junajtid! “Djajtë

Mesfushori brazilian Kasemiro, ka qenë një nga ata futbollistë të cilët kanë pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nga ndërrimi i skuadrave. Një yll te Real Madrid, ku ishte ndër më të mirët e “los blancos”, ai ka qenë vetëm hiaj e vetvetes që kur vendosi t’i bashkohej Mançester Junajtid.

Paraqitjet e tij shpeshherë kanë qenë aq zhgënjyese sa trajnerët e kanë zëvendësuar në pushimin e ndeshjes dhe tashmë është e qartë se ky është një tjetër dështim epik i merkatos së klubit anglez. Për më tepër, rroga prej 300 mijë paund në javë, e bën shumë më të vështirë situatën dhe sipas mediave angleze, klubi kërkon me çdo kusht t’i gjejë një sistemim në janar brazilianit.

Mançester Junajtid u mundua që ta shiste që në verë, por nuk gjeti një klub të gatshëm për të larguar lojtarin, të cilit i përfundon kontrata në verën e vitit 2026. Ofertat nga Arabia Saudite nuk janë konkretizuar, ndaj Mançester Junajtid po shqyrton çdo pistë të mundshme që do ta “shpëtojë” nga barra e rëndë financiare që ka marrë përsipër me lojtarin.