SPORT, 19 Shkurt 2023, 16:59

Vrioni bën prova para startit të sezonit, shkëlqen me dy gola në miqësore

Vrioni bën prova para startit të sezonit, shkëlqen me dy gola

Giacomo Vrioni duket në formën e duhur para startit të sezonit në Amerikë me sulmuesin që gjeti dy herë rrugën e rrjetës në ndeshjen miqësore që New Engalnd Revolution luajti ndaj Orlando City. Ishin pikërisht golat e 24-vjeçarit që i dhuruan fitoren New England Revolution me rezultatin 1-2.

Skuadra e Vrionit kaloi e para në disavantazh, megjithatë në fraksionin e dytë sulmuesi shqiptar përmbysi shifrat. Goli i parë u shënua në minutën e 71-të teksa një devijim i lehtë i Vrionit mjaftoi për të mposhtur portierin kundërshtar ndërkohë 11 minuta më pas, lojtari kuqezi shënoi një gol mjaft të bukur me kokë.

I gjendur i vetëm në zonë, Vrioni nuk e fali mundësinë e shfaqur dhe shënoi golin e dytë personal duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij. Për Vrionin ishte goli numër tre me fanellën e New England Revolution teksa duket se në sezonin e ri që do të nisë më datë 26 shkurt futbollisti shqiptar do të marrë një rol protagonisti pasi tashmë është edhe i ambjentuar me kampionatin e MLS. Kujtojmë se Vrioni u transferua te New England Revolution nga Juventus në verën e vitit 2022.