TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Brazili vrapon dhe me shpejtësi të madhe madje, duke qenë se në ndeshjen kundër Koresë së Jugut, u vendos një rekord i ri. Nëse deri në ndeshjen me Kamerunin kishte qenë Martineli ai që kishte shënuar shpejtësinë më të lartë, 33.7 kilometra në orë, ndaj aziatikëve ishte Vinicius që vendosi të marrë stafetën dhe me topin në këmbë të kapte shifrën 34 km/h.
Sulmuesi i Realit të Madridit është një protagonist absolut i “Seleçaos” dhe rritja e tij në dy sezonet e fundit ka qenë marramendëse, siç konfirmoi edhe roli fiks dhe i rëndësishëm në arritjen e Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit. Gjithsesi, në “Katar 2022” është në lojë trofeu më i rëndësishëm, më i madhi që ofron arena globale e futbollit dhe pa dyshim që me Kupën e Botës Vinicius do të kompletonte në mënyrë perfekte karrierën e tij, ndonëse vetëm 22-vjeçar.
Trajneri i Brazilit beson shumë te Vini, por duke qenë se e ka stërvitur pak herë në këto vite të fundit, Tite ka vendosur që të kontaktojë Karlo Ançelotin dhe të marrë këshilla prej tij lidhur me yllin e ri të “Seleçaos”. “Dua ta përdor Viniciusin në të njëjtën mënyrë që luan te Reali i Madridit”, ka qenë kërkesa e Tites dhe pa dyshim që “Karleto” nuk është kursyer, përkundrazi siç pranon vetë 61- vjeçari amerikano-jugor. “Ishte një bisedë e bukur dhe transparente mes dy trajnerëve që duan më të mirën për Viniciusin.
Me Ançelotin folëm për të gjitha ato situatat taktike që mund t’i japin atij lirshmërinë për të krijuar dhe për të qenë vdekjeprurës sidomos në duelet një kundër një”. Dhe nëse shohim statistikat e deritanishme, Tite ka bërë shumë mirë që ka kërkuar ndihmën e Karlo Ançelotit dhe që i ka bashkuar idetë e italianit me të tijat. Kjo, sepse rezultati i deritanishëm për Viniciusin është: Protagonist në 5 nga 7 golat e Brazilit (1 realizim dhe 4 asiste).