SPORT, 19 Shtator 2022, 19:43

Vazhdon alarmi kuqezi me dëmtimet, humbasim mesfushorin dhe rrezikon Uzuni! Reja fton një emër të ri

Vazhdon alarmi kuqezi me dëmtimet, humbasim mesfushorin dhe rrezikon Uzuni!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur përgatitjet për sfidat e shtatorit në Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit dhe Islandës, të cilat do të përcaktojnë edhe ecurinë e kuqezinjve në këtë turne dhe do të vendosin nëse mund të ngjiten në Ligën A apo sigurojnë një vend në play-off të Euro 2024.

Sfida ku Shqipëria shkon me një numër të madh mungesash për shkak dëmtimesh, apo lojtarësh të cilët janë aktivizuar shumë pak me ekipet përkatëse. Situatë e cila është konfirmuar që në ditën e parë të grumbullimit, pasi Endri Çekiçi nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses si pasojë e dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Gallatasarajit.

Ndërkohë, sipas “Supersport” edhe Myrto Uzuni është nën vëzhgimin e stafit mjekësor, pasi ka shfaqur probleme fizike dhe prania e tij në këto dy ndeshje është në dyshim. Si Çekiçi, ashtu edhe Uzuni, po kalonin një formë fantastike në këtë periudhë me ekipet përkatëse dhe për Shqipërinë mungesa e tyre do të jetë një humbje e madhe.

Ndërkohë, për të plotësuar numrin e lojtarëve për shkak të këtyre mungesave, trajneri Reja ka afruar me ekipin e parë sulmuesin e U21, Eljon Toçi. Ky i fundit aktivizohet me ekipin e të rinjve të Fiorentinës dhe ka qenë protagonist me këtë të fundit në edicionin e kaluar, duke marrë vlerësime edhe nga specialistët përtej Adriatikut.