SPORT, 8 Maj 2024, 19:32

Çuditë e futbollit shqiptar, Vllaznia “bën tifo” për Skënderbeun në javën e fundit sepse i “dhuron” 325 mijë euro

Çuditë e futbollit shqiptar, Vllaznia “bën tifo”

Sezoni i rregullt i Kategorisë Superiore po shkon drejt fundit dhe tanimë mbetet vetëm një javë për t’u luajtur, që do të përcaktojë renditjen përfundimtare të skuadrave. Dhe falë skemës së shpikur këtë vit me “Final Four” do të prodhohet një anomali ku Vllaznisë i intereson që të jetë kundërshtari i saj i javës së fundit, Skënderbeu, ai që e ndjek mes katër më të mirëve.

Ndeshja mes dy ekipeve do të jetë vendimtare për të përcaktuar kush shkon në katërshe me korçarët që në rast fitoreje janë të sigurt për vazhdimin më tej, teksa në çdo rezultat tjetër do të duhet të shohin edhe si ndahen sfidat e tjera.

Por Vllaznisë i intereson që të jetë klubi korçar në katërshe, pasi kështu, do të ishte e sigurt matematikisht pjesëmarrja në Europë. Me çdo skuadër tjetër të pranishme në katërshe, kualifikimi në Europë do të ishte në pikëpyetje të paktën deri pas finales së Kupës ku vendin në Ligën e Konferencës mund ta marrë Kukësi.

Por nëse Skënderbeu shkon në katërshe, atëherë Egnatia, Partizani dhe Vllaznia janë automatikisht të sigurt për praninë në Ligën e Konferencës, meqë skuadra korçare vazhdon të jetë e dënuar nga UEFA dhe sido që të paraqitet në ”Final Four” , nuk luan dot në kompeticione europiane.

Falë kësaj anomalie. Vllaznia praktikisht bën tifo për Skënderbeun që të kualifikohet në katërshe, pasi do t’i sigurojë minimalisht 325 mijë euro nga pjesëmarrja në turin e parë të Ligës së Konferencës, nëse gjërat nuk shkojnë mirë për shkodranët në rrugëtimin drejt titullit.