SPORT, 19 Shtator 2022, 19:51

U gjakos sulmuesi i Partizanit, Kukësi reagon kundër tifozëve të vet: Ngjarje e turpshme, kërkojmë falje

U gjakos sulmuesi i Partizanit, Kukësi reagon kundër tifozëve

Ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit sot ka shënuar edhe një incident të turpshëm, pasi sulmuesi i të kuqve, Tedi Cara, u godit me një shishe dhe u gjakos duke u detyruar të shkonte në spital për t’u mjekuar.

Një ngjarje e cila nuk është e para për stadiumin verilindor, pasi hedhjet e shisheve kanë qenë objekt dënimesh nga FSHF edhe në ndeshjet e mëparshme. Por tashmë klubi ka vendosur që t’u kundërvihet tifozëve të vet për këto sjellje dhe i ka bërë thirrje policisë së shtetit të ndërhyrje, duke i vënë në dispozicion pamjet filmike për të identifikuar dhe dënuar autorin.

REAGIMI I KUKËSIT

FK Kukësi dënon ashpër ngjarjen e ndodhur sot në “Kukës Arena”, aty ku tifozët tanë goditën sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara i cili pësoi dëmtim të konsiderueshëm në kokë. Klubi i Kukësit distancohet nga kjo ngjarje e turpshme e tifozerisë dhe i kërkon falje sulmuesit Cara dhe klubit të Partizanit e njëkohësisht i uron shërim të shpejtë lojtarit.

Futbolli është një sport për të bashkuar dhe në një qytet si Kukësi që karakteristikën kryesore ka mikpritjen, sjellje të tilla nuk kanë hije.

Klubi i Kukësit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente duke iu ardhur në ndihmë me pamjet filmike të stadiumit që të japin dënimin sipas ligjeve për autorin e këtij incidenti.