SPORT, 26 Shkurt 2023, 08:39

Statistikat, argjentinasi për një shekull fitore! Lautaro kërkon të bëjë 100 në “vendin e krimit”

Statistikat, argjentinasi për një shekull fitore! Lautaro kërkon

Interi do të udhëtojë drejt Bolonjës, ku të dielën në 12:30 do të përballë skuadrën e ish-it Tiago Mota. “Renato dall’Ara” nuk ngjall kujtime të bukura për zikaltrit, që kanë akoma të freskët atë humbje 2-1 të prillit të shkuar, një humbje që në fund u kushtoi titullin pas gafës së Ionut Radusë.

Por ndërsa vetë Bolonja është frymëzuese për Lukakun, që ka shënuar në të katërta ndeshjet e luajtura përballë saj, transferta e “Dall’Ara”-s është një tabu për Lautaro Martinezin. Argjentinasi nuk e ka gjetur asnjëherë golin në shtëpinë e kuqebluve (dy të shënuar në “San Siro”) dhe shpreson që bashkë me thyerjen e kësaj tabuje, të vijë edhe fitorja e tij e 100-të në Serinë A.

“Demi” është ndalur në kuotën e 99 fitoreve në 158 ndeshje në kampionat me fanellën zikaltër dhe të dielën do të kërkojë të festojë dyfish, duke krijuar kujtime të reja për veten dhe Interin e tij.

– Të dielën do të jetë sfida e 152-të mes Bolonjës dhe Interit, me zikaltrit që numërojnë 74 fitore kundrejt 42 të kuqebluve, ndërkohë që 35 ndeshje janë mbyllur në barazim.

– Barazimi i fundit në Serinë A midis Bolonjës dhe Interit daton më 19 shtator 2017, një barazim 1-1. Që atëherë tri fitore për emilianët dhe shtatë për lombardët.

– Interi ka shënuar në shtatë ndeshje radhazi kundër Bolonjës në Serinë A, 20 gola (përfshirë dy fitore 6-1). Ndeshja e fundit në të cilën Bolonja nuk ka pësuar daton më 3 shkurt 2019 (1-0).

– Bolonja fitoi ndeshjen në shtëpi të sezonit të kaluar kundër Interit, pas një serie prej 15 ndeshjesh në shtëpi, në të cilat ata nuk arritën të gjenin sukses kundër zikaltërve (3 barazime, 12 humbje). Kuqeblutë mund të shkojnë në dy fitore radhazi ndaj Interit në shtëpi për herë të parë që nga 1999-ta.

– Bolonja ka fituar katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të Serisë A (1 barazim, 1 humbje). Që nga janari skuadra e Motës ka grumbulluar 13 pikë, aq sa Interi e Roma dhe më pak vetëm se Napoli (18).

– Pas barazimit 0-0 kundër Sampdorias në ndeshjen e tyre të fundit jashtë fushe, Interi mund të shkojë në dy transferta radhazi pa shënuar në kampionat për herë të parë që nga prilli 2018 (tre në atë rast, nën drejtimin e Luçiano Spaletit).

– Në ndeshjet e Bolonjës në këtë kampionat janë dhënë 11 penallti (katër në favor, shtatë kundër), një rekord në sezonin aktual, po aq sa Salernitana. Kuqeblutë kanë pësuar gjashtë gola nga pika e bardhë.

– Në javën e fundit të kampionatit, Roberto Soriano gjeti golin e tij në Serinë A 706 ditë nga goli i fundit (14 mars 2021), duke ndërprerë një seri prej 65 ndeshjesh pa shënuar në kampionat. Mesfushori i ka shënuar një gol Interit, më 2 nëntor 2019.

– Rikardo Orsolini ka qenë i përfshirë në 5 nga 6 golat e fundit të Bolonjës në Serinë A, falë tre golave dhe dy asisteve, megjithatë Interi është skuadra ndaj së cilës ka kaluar më shumë minuta në fushë pa gjetur gola në kompeticion (454).