SPORT, 2 Dhjetor 2022, 08:56

Sonte, Serbi-Zvicër/ Golat dhe shqiponja djegin ende në Beograd, Xhaka dhe Shaqiri bëjeni përsëri!

Sonte, Serbi-Zvicër/ Golat dhe shqiponja djegin ende në Beograd, Xhaka

Gjithçka është ende shumë e freskët në memorien e serbëve, por akoma më shumë e shqiptarëve, që festuan dyfish…

Më 22 qershor 2018, luhej sfida e dytë e Grupit E në Botërorin “Rusi 2018”, me Serbinë që pasi kishte kaluar në avantazh pas vetëm 5 minutash lojë me Mitroviç, Beogradi pa furinë e kuqe në aksion në pjesën e dytë:

Në të 52-ën Granit Xhaka lëshon një predhë me të majtën nga jashtë zone, nga pozicion diagonal për 1-1, ndërsa në të 90-ën, Xherdan Shaqiri i ndodhur i vetëm në gjysmëfushën serbe merr një top nga mbrojtja dhe pas 40 metrash vrapim godet me elegancë poshtë këmbëve të portierit Tosiç.

Dhe ku kishte më bukur se sa festa me shqiponjë në një kampionat Botëror, një simbol krenarie për shqiptarët, i cili tërboi dhe në fund eliminoi rivalët serbë.

Por historia donte që gjithçka të përsëritej sërish: Kalojnë 4 vite dhe sërish në të njëjtin grup të Botërorit Shaqiri dhe Xhaka rigjejnë Serbinë, madje dhe Brazilin si për ironi të fatit.

Dhe sërish, pikët në lojë mbrëmjen e sotme do të vendosin fatin se, cila prej këtyre dy kombëtareve do të shkojë në fazën e 1/8-ave.

Aktualisht Zvicra e shqiptarëve ka një avantazh jo të vogël, duke qenë se në stadiumin “974” do t’i mjaftonte dhe një barazim për të avancuar, falë tri pikëve në start ndaj Kamerunit (humbi më pas me Brazilin, ndërsa Serbia ka vetëm 1 pikë).

Gjithsesi, duke parë jehonën e madhe që po i bëhet kësaj ndeshjeje jo vetëm nga Beogradi, por nga e gjithë media botërore, duke njohur edhe arsyet e forta politike që janë brenda dhe duke mos harruar provokimin e pësuar nga serbët në Botërorin e kaluar, të gjitha presin ndoshta ndeshjen më të luftuar, atë më të ndierën dhe pse jo, ndoshta më spektakolaren deri tani të kësaj Kupe Bote.

Nëse Serbia ka vendosur që të ndryshojë disa elementë nga duelet kundrejt Kamerunit e Brazilit, me dy juventinet Kostiç e Vlahoviç që priten titullarë, në anën tjetër Granit Xhaka do të jetë udhëheqësi i Zvicrës.

Kapiteni nuk dihet nëse do të ketë mbështetjen e Xherdan Shaqirit nga minuta e parë, pasi ai vuajti një problem muskulore dhe është stërvitur vetëm në dy ditët e fundit.

Ndonëse siç raporton “Blick”, por edhe “Kurir”, ish-ylli i Bazelit, Bajernit, Interit, Liverpulit, Lionit dhe tashmë i Çikagos në Amerikë, i ka kërkuar trajnerit Jakin që të luajë me çdo kusht, pasi për të mundur sërish serbët është gati që të shtrëngojë dhëmbët.

Duke njohur tipin e Xherdanit, vështirë se ai do ta humbë këtë mundësi dhe pse jo, gjatë duelit të sotëm të shpresojmë se dy shqiptarët që udhëheqin kombëtaren e Zvicrës ta bëjnë sërish:

Të shënojnë nga një gol dhe të eliminojnë për të dytin edicion radhazi Serbinë.