SPORT, 27 Shtator 2022, 23:37

Skuadër e dobët me një trajner të paaftë, por "bajraktarët" e Federatës nuk zhgënjejnë sërish

Skuadër e dobët me një trajner të paaftë, por

Pas humbjes me Izraelin (2-1), Shqipëria zhgënjeu sërish ndaj Islandës (1-1), duke mos arritur asnjë fitore në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe mbyllur grupin 2 të Ligës B, në vendin e fundit, duke koleksionuar dy humbje dhe dy barazime.

Një skuadër thuajse pa identitet dhe pa vizion në lojë, e drejtuar nga një trajner që shfaq dukshëm paaftësinë dhe përgjumjen e tij dhe që nuk arrin të motivojë lojtarët, edhe pse të gjithë futbollistët e grumbulluar luajnë jashtë Shqipërisë, disa edhe në kampionatet më të fortë si në Angli, Itali, Spanjë apo Francë.

Por, ajo që nuk i mungoi sërish - ashtu si dhe në Izrael - ishte pompoziteti dhe arroganca e udhëheqsve të Federatës, me në krye presidentin prej dy dekadash, Armand Duka, të cilëve nuk u bën më përshtypje më poshtërimi i skuadrës si në "Air Albania" ashtu dhe në impiantet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë, në Tel Aviv apo Reykjavik.

Ndërkohë që tifozët në stadium dhe sportdashësit në ambiente të tjera mbetën tërësisht të zhgënjyer, katërshja e bajraktarëve të futbollit shqiptar: Duka, Shulku, Nuri dhe Dervishi, mund të ndihen të lumtur, pasi po ia dalin të shkatërrojnë identitetin e Kombëtares. Rezultatet e tregojnë!