SPORT, 27 Janar 2023, 15:02

Skandal në Spanjë/ Vinicius kërcënohet me varje, policia spanjolle vihet në lëvizje

Skandal në Spanjë/ Vinicius kërcënohet me varje, policia

Derbi i Madridit për Kupën e Mbretit mes Realit dhe Atletikos është errësuar nga shfaqja e shëmtuar e grupit radikal të tifozëve të Atletikos, “Frente Atletico Ultras”.

Përpara takimit të luajtur mbrëmë në “Bernabeu”, në një nga urat e Madridit, tifozët e Atletikos kanë vendosur një pankartë, ku shkruhej me të madhe: “Madridi e urren Realin”. Por shumë më i rëndë ka qenë veprimi i mëtejshëm i ultrasve të Atletikos. Ata kanë varur me litar një kukull me fanellën e Realit të Madridit me numrin 20, që korrespondon me sulmuesin brazilian, Vinicius Zhunior.

Mediat spanjolle e kanë cilësuar një akt të pashembullt intolerance, teksa reagime të forta ka pasur nga të gjithë aktorët, dy klubet, policia spanjolle, La Liga, federata spanjolle dhe të tjera personazhe të jetës publike në Spanjë. Në fakt, që prej hedhjes së shortit, ku u mësua se dy gjigantët e Madridit do të përballeshin në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, tifozët radikalë të Atletikos kanë ndërmarrë një sërë veprimesh në rrugët e Madridit. Por, natyrisht ngjarja me Viniciusin është më e rënda e regjistruar. Kujtojmë se ky grup ishte përgjegjës edhe për koret raciste ndaj brazilianit në shtator 2022 në derbin e fazës së parë në La Liga.

Para takimit një grup i tifozëve të Atletikos e etiketonte Viniciusin një “majmun”. Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar policia spanjolle, e cila ka çelur një hetim për ngjarjen. Ndërkaq, Reali i Madridit dhe Atletiko e Madridit kanë dalë me nga një komunikatë ku kanë dënuar ashpër sjellje të tilla. Edhe federata spanjolle dhe La Liga kanë reaguar gjithashtu. Presidenti i Ligës, Havier Tebas, ka qenë mjaft i ashpër. “Këta persona duhet të ishin me kohë në burg. Nëse nuk marrim masa do të kemi raste edhe më të rënda”, tha ai. Reagime ka pasur edhe nga Brazili, ku të gjithë kanë mbështetur Viniciusin.