TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Krejt në mënyrë të papritur, Arsenali pësoi tjetër humbje në Premier Ligë. Dhe humbja e pësuar të shtunën në stadiumin “Emirates” nga Bërnmuthi 2-1, e ka hapur sërish garën për titull. Ndonëse diferenca e pikëve me Sitin e vendit të dytë është ende e konsiderueshme, kjo nuk ia garanton titullin “Topçinjve”. Aq më tepër kur sfida e radhës është në “Emirates” pikërisht ndaj Sitit.
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, e ka cilësuar humbjen si një “goditje të fortë”, duke u bërë thirrje lojtarëve të tij të reagojnë në një moment kritik të sezonit. Skuadra londineze pësoi një disfatë të papritur në shtëpi, pasi miqtë kaluan në avantazh që në minutën e 17-të me golin e Junior Krupi. Arsenali u rikthye përkohësisht në lojë falë një penalltie të realizuar nga Viktor Gyökeres, por reagimi nuk zgjati shumë.
Në minutën e 74-t, Alex Scott riktheu avantazhin për Bërnmuth, ndërsa “Topçinjtë” nuk arritën të gjenin më përgjigje deri në fund, duke regjistruar humbjen e dytë në shtëpi këtë sezon në kampionat.
“Ishte një goditje e fortë. Nuk e prisnim këtë rezultat dhe duhet të reagojmë menjëherë”, deklaroi Mikel Arteta. “Duhet të ngrihemi dhe të tregojmë personalitet. Në këto momente kuptohet se kush jemi si ekip”, tha ai. Pavarësisht disfatës, Arsenali mbetet në krye të renditjes përpara Mançester Sitit, por situata është bërë më e ndërlikuar.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka një ndeshje më pak dhe është rikthyer fuqishëm në garën për titull. Përballja direkte mes dy skuadrave, që do të zhvillohet javën e ardhshme në “Etihad Stadium”, pritet të jetë vendimtare për fatin e titullit në Premier Ligë. Arteta kërkon reagim të menjëhershëm nga skuadra e tij për të mos rrezikuar një sezon që deri tani ka qenë shumë premtues.