TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nuk ishte thjesht një fitore, por një sinjal i fortë për kampionatin. Interi largohet nga fusha me tri pikë që peshojnë shumë më tepër se rezultati final. Suksesi ndaj Leçe-s i jep skuadrës zikaltër një avantazh të rëndësishëm në renditje, por mbi të gjitha forcon bindjen se kjo skuadër di të fitojë edhe kur nuk shkëlqen. Në një ndeshje të ndërlikuar, me ritëm të ulët dhe shumë pasaktësi, Interi arriti të kapërcejë vështirësitë dhe të marrë maksimumin.
Pikërisht këto janë fitoret që ndërtojnë sezonet fituese: ato të arritura me sakrificë, durim dhe menaxhim të momenteve delikate.
Pjesa e parë nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Zikaltërit u shfaqën të ngadaltë, pa agresivitetin e zakonshëm dhe me pak ide në fazën ofensive. Leçe, edhe pse me disa mungesa të rëndësishme për shkak pezullimesh, arriti të qëndrojë në lojë dhe të krijojë disa rreziqe, duke vënë në vështirësi mbrojtjen e Interit.
Në këtë kontekst, u pa një skuadër që vuante mungesën e ritmit dhe qartësisë, por që nuk humbi kurrë ekuilibrin. Kivu e kuptoi se ndeshja kërkonte durim dhe zgjedhje të kujdesshme, pa u ekspozuar ndaj kundërsulmeve.
Në pjesën e dytë, Interi ndryshoi fytyrë. Intensiteti u rrit, qarkullimi i topit u bë më i shpejtë dhe presioni ndaj kundërshtarit filloi të japë efekt. Edhe pse loja nuk ishte spektakolare, skuadra tregoi pjekuri dhe kontroll, duke e çuar ndeshjen aty ku donte. Kjo fitore merr një vlerë edhe më të madhe duke parë rezultatet e rivalëve direkt.
Barazimi i Napolit i lejon Interit të krijojë distancë dhe të forcojë pozicionin në krye, duke i dhënë kampionatit një drejtim të ri. Kivu, me këtë sukses, duket se ka kapërcyer edhe limitet e skuadrës së tij.
Interi fiton jo vetëm me cilësi, por edhe me karakter, duke treguar se është gati të përballojë presionin e një sezoni të gjatë dhe të vështirë. Në fund, janë pikërisht këto ndeshje që bëjnë diferencën. Interi largohet me tri pikë, por edhe me një mesazh të qartë për kundërshtarët: rruga drejt titullit kalon nga këto prova force.